Kosova

Dyshohen sulmuesit e Hotit janë anëtarë të AAK –së, policia në kërkim të tyre

Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, është sulmuar të shtunën në mes të Prishtinës. Burime të Express brenda Policisë kanë treguar se sulmuesit e Hotit janë anëtarë të AAK -së. Po i kërkojnë t’i intervistojnë. Madje, kanë thënë se sulmuesit janë njerëz të afërt me njërin prej deputetëve të AAK -së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është gëzuar lajmin se dikush sulmoi Avdullah Hotin me vezë. Daut Haradinaj tha se kushdo që e ka sulmuar zyrtarin e qeverisë ka bërë mirë.

Në të njëjtën linjë reaguan edhe zyrtarët tjerë të kësaj partie. Bën thirrje të mos largohet taksa, kërkesë kjo e bërë edhe nga sulmuesit.

Burime të Express brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se sulmuesit janë anëtarë të AAK’së të afërt me një deputet të kësaj partie.

“Po i kërkojmë t’i intervistojmë”, ka thënë një hetues policor që po merret me hetimin e rastit.

Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria janë vënë në kërkim të personave që sot e sulmuan me vezë, zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti, raporton Express.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë Gazetës Express se kanë nisur hetimet dhe se rasti po cilësohet si “sulm”.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftoj se: me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dal në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është iniciuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë Krasniqi për Express.

Edhe Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se veprimet e opozitës nuk e shqetësojnë Qeverinë. I ka uruar punë të mbarë Avdullah Hotit, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngadalë ka filluar që të marrë përgjegjësinë për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit.

Grupi Parlamentar i AAK’së ka publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, raportimet e mediave për këtë rast.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka dalë hapur pro sulmit me vezë ndaj Avdullah Hotit, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.

“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, në një përgjigje për T7. Shpjegimet tjera të Haradinajt mund t’i shikoni në lajmet qendrore në T7, në orën 19:30.

Zyrtari tjetër i AAK’së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos marrë vendime të njëanshme për sa i përket taksës. Ka thënë se duhet të ketë konsensus politik për tema të tilla që kanë të bëjnë me Serbinë.

Ndaj sulmit të sotëm ndaj Avdullah Hotit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe vetë Hoti, duke thënë se ata që kanë organizuar sulmin e sotëm synojnë izolimin e Kosovës.

“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.

Edhe Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga drejtësia të merret me gjithë ata që nxisin dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë derisa ka kërkuar të ndërpritet praktika e mos reagimit të Policisë dhe Prokurorisë.

“Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka shkruar Bajrami.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk qëndron prapa sulmit ndaj Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.