Kosova

Dyshime se komisionarët keqpërdorën votat, kandidatët kërkojnë rinumërim

Gati në secilën palë zgjedhje që mbahen në Kosovë ka kandidatë që kërkojnë që vendvotime të caktuara të shkojnë në rinumërim, me pretendimet se komisionerët kanë ndryshuar totalin duke iu numëruar më pak vota se që i kanë pasur realisht. Një veprim i tillë që mund të dënohet me deri 5 vite burg po thuhet të ketë ndodhur edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Tashmë për këtë çështje veçse janë deponuar disa ankesa.

Zgjedhjet e 14 shkurtit do t’i lënë jashtë bankës së deputetit shumë persona. Si jo rrallë herë edhe pas këtij procesi zgjedhor ka pasur ankesa individuale lidhur me mbarëvajtjen e procesit, saktësisht numërimin e votave për kandidatë.

Për këtë çështje janë ankuar edhe dy kandidatë në listën për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Jetlir Zyberaj, kandidat për deputet nga radhët e AKR-së ka folur për një “skemë kriminale” derisa ka kërkuar që të ketë rinumërim të votave . Ai thotë se krejt ky “organizim”, bëhet nga dy tre persona për të cilët pretendon se iu marrin para atyre që garojnë.

Anëtari i Aleancës Kosova e Re thotë se vetëm përmes rinumërimit do të mund të shiheshin parregullsitë në këtë proces.

“Pyetni kandidatët tjerë dhe ju tregojnë. Skema kriminale organizohet prej disa komisionerëve të cilët u marrin para dy tre individëve. Le të vendos KQZ për rinumërim në Prishtinë dhe aty shihet e vërteta. Për parregullsitë të procedohen penalisht ata komisionerë dhe të dënohen maksimalisht e tek pastaj evitohet ky fenomen”, ka thënë Zyberaj në një përgjigje për Gazetën Express.

Zyberaj nuk është i vetmi nga lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës që pretendon se votat e tij janë keqpërdorur e kërkon të shkohet në rinumërim.

Alma Lama kandidate e LDK-së ka shkruar se procesi zgjedhor do të jetë i rregullt vetëm nëse KQZ vendos të rinumërojë votat e kandidatëve nëpër subjekte politike.

“Procesi zgjedhor do të jetë i rregullt vetëm nëse KQZ vendos të rinumërojë votat e kandidatëve nëpër subjekte politike”, ka shkruar Lama.

Gazeta Express gjatë tërë ditës ka tentuar që të marrë një përgjigje nga e njëjta lidhur me atë se pse sipas saj duhet të rinumërohen votat për kandidat dhe çfarë parregullsi ka vërejtur në këtë proces. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmit, e njëjta nuk është përgjigjur.

Ani pse Lama dhe Zyberaj kanë zgjedhur që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin publikisht përmes rrjeteve sociale, asnjëri nga ta, të paktën deri më tani për këtë temë nuk është drejtuar në PZAP.

Pa këto dy ankesa, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri tani janë dorëzuar katër ankesa ku kërkohet nga kandidatët për deputet që të bëhet rinumërim i votave në disa vendvotime.

Kryetari i këtij organi, Mulë Desku në një përgjigje për Gazetën Express ka dhënë detaje se cilët janë ata kandidatë që deri më tani kanë bërë ankesat e tyre.

Sipas Deskut, subjekti politik , Social Demokratska Unija (SDU), ka paraqitur ankesë në PZAP ku pretendon se në një qendër të votimit në Vitomiricë ka pasur parregullsi gjatë votimit. Sipas kësaj ankesë, në këtë qendër gjatë procesit të votimit nuk ka pasur as komisioner e as vëzhgues.

“Më tej në ankesë pretendohet se në këtë Qendër të Votimit nuk përputhet numri i votave me numrin e supozuar të votave. Parashtruesja e ankesës kërkon nga PZAP-i që të formohet një komision i pavarur për të bërë rinumërimin e këtyre votave”, thonë nga PZAP.

Ankesë në këtë organ kanë bërë edhe nga partia Fjala që udhëhiqet nga Gëzim Kelmendi.

“Subjekti politik Fjala, ka paraqitur ankesë ne PZAP me të cilën ka kërkuar nga Paneli që të Urdhërohet  KQZ-ja, të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve në  Komunën e Skenderajt dhe në gjitha komunat tjera në Kosovë, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të datës 14.02.2021”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.

Kreu i partisë Fjala shprehet optimist se do të marrë përgjigje pozitive pas ankesës që ka bërë lidhur me votat.

Në një përgjigje për Gazetën Express ai thotë se te ky organ kanë bashkangjitur edhe dëshmitë se si sipas tyre janë dëmtuar votat.

“Ne jemi optimist që PZAP do të kthej përgjigje pozitive me rastin e ankesës tonë lidhur me dëmtimin e votave të Partisë FJALA, ngase ankesës tonë ia kemi bashkangjitur dëshmitë se si janë dëmtuar votat e Partisë FJALA. Dhe kjo është shumë shqetësuese ku vetëm në një vendvotim nga 2382 vendvotime sa janë gjithsej, në formularin e nënshkruar nga komisionerët FJALA i ka 24 vota, ndërsa në uebfaqen e KQZ-së figurojnë 00 vota”, ka thënë ai.

Pos këtyre dy subjekteve, sipas Deskut, në PZAP janë ankuar edhe Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës dhe PDK-ja.

“Subjektit politik Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës-PDAK, një kandidat i këtij subjekti ka paraqitur ankese ne PZAP, kundër rezultateve preliminare te shpallura nga KQZ-ja, në ankesë pretendohet se pas publikimit të Formularëve të Përputhjes së Rezultateve-FPR, ka vërejtur se në vendvotimin me numër 1501e-01R nuk iu është shënuar vota e tij në Formularin e Rezultateve të Kandidatëve-FRK”, ka thënë ai, ndërsa, nga PDK-ja, Desku thotë se një kandidate është ankuar për komisionerët në vendvotimet në Shtime dhe në Petrovë.

“Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), një kandidate i këtij subjekti ka paraqitur ankese ne PZAP, kundër komisionerëve të vendvotimeve  2201X/04R në Shtime dhe 2202E/01R, Petrovë në të cilën pretendohet se ka pasur shpërpushje të  rezultatit në  Formularin e Rezultateve të Kandidatëve në vendvotimin 2201X/04R në Shtime”, ka thënë Desku.

Hulumtuesi Lirim Krasniqi thotë se një gjë e tillë është kthyer tashmë në fenomen gjatë procesit zgjedhor në Kosovë, e shton se sipas tij është krijuar edhe prej kandidatëve për deputet të cilët thonë se i shtyjnë komisionerët (në forma të ndryshme) që të devijojnë vullnetin e qytetarë sa i përket votave të kandidatëve.

 Kjo zakonisht ndodhë në dy raste: kur votuesi zgjedh më pak se 5 kandidatë, dhe komisionerët e partive plotësojnë vetë hapësirat e zbrazëta në mënyrë që të mbushet numri prej deri në 5 kandidatëve dhe duke vendosur në formularët e KQZ rezultate tjera prej atyre reale në fletëvotime”, thotë Krasniqi në një përgjigje për Gazetën Express.

Sipas studiuesit Krasniqi për të zvogëluar e mbase eliminuar këtë fenomen nevojitet që të rritet numri i monitoruesve/vëzhguesve të pavarur në vendvotime dhe të ashpërsohen dënimet për komisionerët të cilët përfshihen në këto manipulime.

Pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, nga organizata ÇOHU kanë paralajmëruar komisionerët se Kodi Penal i Kosovës tashmë numëron 11 vepra penale që kanë të bëjnë më të drejtat e votimit.

“Çdo veprim i këtyre komisionerëve i cili bie ndesh me këto rregulla e që ka të bëjë me keqpërdorime të të drejtës së votës, mund të ndëshkohet deri në 5 vjet burgim.  Natyra e shkeljeve mund të jetë cenimi i të drejtës së votës dhe përcaktimit të lirë të votuesve, cenimi i fshehtësisë së votimit, ryshfeti për vota e deri të falsifikimi i rezultateve, për të cilat mund të dënohesh deri në 5 vjet burg.  Prandaj është me rëndësi që komisionerët të jenë në nivelin e detyrës, nga të cilët edhe varet një pjesë e rëndësishme e mbarëvajtjes se procesit zgjedhor”, kanë thënë nga kjo organizatë./GazetaExpress/