SPORT

Dybala kërkon t’i ngrihet paga

Juventusi dhe Paulo Dybala janë në negociata për ta vazhduar kontratën e argjentinasit deri në qershor të vitit 2025, sipas mediave italiane. Futbollisti ka kërkuar t’i ngrihet paga në dhjetë milionë euro në sezon.

Sipas gazetës italiane Tuttosport, argjentinasi është i gatshëm të nënshkruajë kontratë të re dhe bardhezinjtë e kanë kuptuar se kishin bërë gabim që kishin qenë të gatshëm ta shesin atë verën e kaluar.

Paulo Dybala ishte përfolur gjatë gjithë verës së vitit 2019 për një transferim të mundshëm në Manchester United ose në Tottenham, mirëpo në fund ai vendosi të qëndronte në Torino.

Argjentinasi ka qenë në formë mbresëlënëse gjatë këtij sezoni 2019/20, duke i shënuar 11 gola dhe 11 asiste në 28 ndeshje të zhvilluara. Mirëpo, së fundi ai e kishte pranuar se për pak sa s’ishte larguar nga Juventusi para kësaj vere.

“Isha afër largimit. Klubi e kishte këtë në mendje, unë e dija këtë. Deri në minutën e fundit, ne ishim në pritje”, kishte thënë Dybala, në një intervistë të dhënë për mediumin britanik Guardian.

“Mua më kanë mbetur edhe dy vjet në kontratën time. Kjo nuk është kohë e shkurtër, por s’është as e gjatë. Ne do ta shohim se çfarë plane ka Juventusi, nëse ata mendojnë se duhet të largohem verën apo duan që unë të qëndroj”.

“Ky është një vendim që duhet ta marrë klubi. Unë e kam të vështirë sepse gjërat mund të ndryshojnë brenda një sekonde”.

“Por, unë jam këtu, në një klub që më ka trajtuar mirë. Jam i lumtur dhe jam rehat. Ardhja e Maurizio Sarrit më ka ndihmuar. Ai dëshironte që unë të qëndroja dhe kjo më dha fuqi kur nuk e dija se çfarë do të ndodhte. E dija se ai mund të më mësonte, mund ta nxirrte më të mirën nga unë”.

Duket se tani Juventusi e ka marrë këtë vendim dhe dëshiron t’i ofrojë kontratë të re argjentinasit, i cili në anën tjetër po kërkon pagë prej dhjetë milionë eurosh në vit.

Dybala ka qenë në Juventus që nga viti 2015, kur u transferua pas tre sezoneve në Itali me Palermo.