Rajoni

Dy viktima dhe 44 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut ka regjistruar edhe dy viktima nga koronavirusi duke e çuar në 9 numrin e të vdekurve nga Covid-19, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë. Viktimat e reja janë një 45 vjeçar nga Kumanova dhe një 78 vjeçar nga Dibra. Sipas njoftimit të ministrisë, viktima nga Kumanova vuante edhe nga një disa sëmundje tjera kronike, si diabeti, tensioni i lartë, obeziteti ndërsa viktima nga Dibra ishte me tension të lartë dhe sëmundje tjera kronike.

Gjatë 24 orëve të kaluara është regjistruar edhe numri më i lartë me rezultatet pozitive me koronavirusin. Nga 392 teste të kryera, 44 persona kanë dalë pozitiv. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 329 ndërsa numri më i madh i tyre është në Shkup, gjithsej 175. Për ministrinë e Shëndetësisë numri i deritanishëm i të prekurve nuk është edhe shumë shqetësues.

“Ky ka qenë qëllimi ynë që nga fillimi, me këtë ritëm sistemi ynë shëndetësor do të jetë në gjendje t’u shërbejë qytetarëve dhe të përballoj mirë situatën me koronavirusin. Kulmi i epidemisë nuk ka ardhur ende dhe tani është e nevojshme që të gjithë të respektojnë deri në fund masat dhe rekomandimet e qeverisë”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.