Rajoni

Dy skandale të Sheshelit në një ditë: Shkel flamurin kroat dhe sulmon deputeten opozitare

Deputetët e Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit e kanë sulmuar sot me kërcënime të rënda deputeten e Partisë opozitare Demokratike të Serbisë Aleksandra Jerkov, për shkak se e pyeti kryetaren e Kuvendit serb, Maja Gojkoviqin, se kur do t’i merret mandati Sheshelit, të cilin Tribunali i Hagës e dënoi me vendim të plotfuqishëm për krime lufte, transmeton Gazeta Express.

Jerkov përkujtoi se me Ligjin serb për zgjedhjen e deputetëve parashihet që një deputeti t’i merret mandati nëse është dënuar me burg në kohëzgjatje prej së paku 6 muajve, ndërsa Shesheli u dënua me 10 vjet.

“Turp është që një kriminel lufte t’i përfaqësojë qytetarët e Serbisë”, tha Jerkov, duke përkujtuar se Shesheli ka kërcënuar secilin që do ta quajë kriminel lufte se do t’ia thyejë hundët. Ndaj kësaj Shesheli është përgjigjur se s’do ta rrahin deputeten, por deri në fund të jetës do ta quajnë me fjalë fyese.

Pas pyetjes së Jerkovit, një hordhi radikalësh e kanë rrethuar atë te foltorja, duke i adresuar fyerje të shumta, ndërsa në sallën e Kuvendit është ngritur edhe një transparent me porosinë “kurvë ustashe”!

Ndaj kësaj ka reaguar euro-deputetja nga Kroacia Marijana Petir, e cila në Twitter ka shkruar se e ka njoftuar Parlamentin Evropian për incidentin e shkaktuar nga radikalët, duke vërejtur se “të parët që duhej të reagonin duhej të ishin qeveritarët serbë”. Kanë pasuar reagime ndaj postimit në stilin e njohur të ithtarëve të kryeçetnikut, si p.sh. “Ua, çka na tute”.

Ndaj këtyre, siç, transmeton Gazeta Express, s’kanë reaguar as deputetja serbe as ajo evropiane, por vetëm kanë pasur një letërkëmbim të shkurtër.

“Ju faleminderit e nderuara Mirjana. Për fat të keq, ata që në Kuvend e përkrahin Qeverinë e Serbisë i përkrahën edhe sulmet ndaj meje sot”, ka shkruar Jerkov, ndërsa Petir është përgjigjur:

“Sjellja e këtillë e pushtetit aktual në Serbi është larg rrugës evropiane”.

Dhe, ky nuk ishte incidenti i vetëm i shkaktuar sot nga Shesheli. Ai para Kuvendit serb e ka shkelur flamurin kroat dhe e ka sharë delegacionin e Kuvendit kroat, i cili po qëndron për vizitë të parë zyrtare në Beograd.

Ndaj kësaj ka reaguar kryeparlamentarja serbe Maja Gojkoviq, e cila, megjithatë incidentin e sotëm e ka barazuar me reagimet kroate ndaj vizitës së presidentit Aleksandar Vuçiq para dy muajve vizitoi Zagrebin.

“Mosrespektimi i shprehur ndaj simboleve shtetërore të Kroacisë, delegacioni i të cilit i kryesuar nga kryetari i Kuvendit Gordan Jandrokoviq qëndron në vizitën e parë historike në Serbi, është i palejueshëm dhe paraqet fyerje edhe për popullin serb i cili krenohet me traditën e mikpritjes”, ka thënë Gojkoviq në një kumtesë.