Kosova

Dy shtetas rusë sfidojnë organet e sigurisë, hyjnë ilegalisht në Kosovë

Një femër dhe një mashkull, shtetas rusë, janë ndaluar sot në fshatin Sarpelj të Leposaviqit, pasi kishin tentuar të hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Gazeta Sinjali, shtetasit rusë fillimisht tentuan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Jarinjë, mirëpo policia kufitare nuk ua ka mundësuar hyrjen për shkak se të njëjtit nuk posedonin vizë për të hyrë në vendin tonë.

Pas refuzimit të hyrjes, shtetasit rusë duket se kishin vendosur të sfidonin organet e sigurisë dhe të njëjtit arritën të futen në territorin e Republikës së Kosovës, përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë.

Siç mëson Gazeta Sinjali, shtetasit rusë hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës e realizuan përmes rrugëve ilegale në fshatin Sarpelj të komunës së Leposaviqit.

Policia e Kosovës gjatë patrullimit në vijën e gjelbërt, i ka ndaluar personat e dyshuar dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Më datën 13.01.2020 rreth orës 10:30, në fshatin Sarpelj, patrulla policore ka ndaluar një automjet me targa malazeze të cilin po e drejtonte një person mashkull nënshtetas rus. Në automjet ka qenë edhe një pasagjere po ashtu nënshtetase ruse. Personat në fjalë dyshohet se kanë hyrë nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës nëpër mes rrugëve dytësore-ilegale. Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit është hapur rasti “Kalim Ilegal i Kufirit”, përderisa personat e dyshuar janë shoqëruar në gjykatë”, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Gazeta Sinjali ka arritur të sigurojë edhe fotografi të personave të dyshuar.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.