INTERVISTA

Dy opsionet e Muhaxhirit për dalje nga kriza politike e Kosovës

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka shpalosur idetë e tij rreth çështjeve të fundit të aktualitetit politik vendor. Rikonfigurimi substancial i qeverisë dhe zgjedhjet e reja, sipas tij, janë opsione për të dalë nga kriza politike.

Në Intervistën e Javës në Koha.net, Muhaxhiri ka thënë se taksa, si akt politik i pamenduar mirë, është shndërruar në “Fitore të Pirros”. Sipas tij, taksa tani ka pësuar transformim radikal duke shndërruar mur ndarës mes Kosovës dhe aleatëve të saj.

Muhaxhiri, teksa flet edhe për përçarjen e koalicionit qeverisës, vlerëson se për të dalë nga gjithë kjo situatë janë dy rrugë, rikonfigurimi substancial i qeverisë dhe zgjedhjet e reja. Me rikonfigurim, ai nënkupton përfshirjen e LDK-së në qeveri, duke e nënkuptuar postin e kryeministrit dhe disa ministri me peshë, kurse nga qeveria të largohej AAK-ja dhe do të reduktohej në masë të madhe pjesëmarrja joproporcionale e AKR-së. Sipas tij, edhe përfshirja e PSD-së është opsionale.

Ka folur edhe për Ligjin për Dialog, të cilin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e deportuan në Gjykatën Kushtetuese. Muhaxhiri thotë se roli i Ligjit ka të bëjë me ofrimin e kushteve të ndërtimit të një kornize specifike ligjore dhe metodologjike për ngritjen përplotësuese të përfaqësimit institucional kosovar në etapën e fundit të procesit dialogues. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë parësor. Nëse vërtetohet se Ligji për Dialogun shkel ndonjërin nen, sipas Muhaxhirit, i gjithë Delegacioni Shtetëror do të duhej të ofronte dorëheqje me automatizëm.

Koha.net: Cila mendoni se është rruga më e mirë e Qeverisë së Kosovës që të dalë nga ngërçi me taksën?

Muhaxhiri: Dalldia e kiç politikëbërjes i është kthyer bumerang koalicionit qeverisës.

Taksa si akt politik i pamenduar mirë është shndërruar në ‘Fitore të Pirros’. Prej entuziazmit fillestar dhe përkrahjes kolektive tash ka pësuar transformim radikal, duke u shndërruar në mur ndarës mes Kosovës institucionale dhe aleatëve emocionalo-gjeostrategjikë, ndër më të fuqishmit e kësaj bote.

Kjo situatë paradoksale është dëshmi e mungesës së plotë të planifikimit nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar të cilët i kanë ngritur duart për ta votuar një projekt kaq të rëndësishëm pa pasur asnjë strategji reaguese ndaj skenarëve të mundshëm pasues. Ndonëse publikisht bënin ‘be e rr’fe’ se e kishin menduar gjerë e gjatë këtë mesele.

Koha.net: Taksa ka përçarë goxha koalicionin qeverisës. Si e shihni përfundimin?

Muhaxhiri: Përgjegjësia për çarjen e koalicionit qeverisës është e të gjithë pjesëmarrësve në vendosjen e taksës, sepse u tregua se ata jo vetëm që s’kanë pasur informata për natyrën komplekse të kësaj ideje, por nuk janë njohur plotësisht as me njëri-tjetrin, pasi nuk e kanë parashikuar shkallën e këmbëngulësisë deri në të cilën ndonjëri prej tyre ka qenë i gatshëm të shkojë.

Pasi Kryeministri Haradinaj nuk po jep indikacione për modifikim qëndrimi, ndërsa vazhdimësia e status quo-së bllokuese nuk është opsion i afërmendshëm, ekzistojnë vetëm dy rrugë: rikonfigurimi substancial i qeverisë dhe zgjedhjet e reja. Rikonfigurimi do të mund të bëhej me përfshirjen e LDK-së, duke e nënkuptuar postin e kryeministrit dhe disa ministri me peshë, kurse nga qeveria do të largohej AAK-ja dhe do të reduktohej në masë të madhe pjesëmarrja joproporcionale e AKR-së. Edhe përfshirja e PSD-së është opsionale nëse ka ndryshime rrënjësore që krijojnë një frymë qeveritare tjetërqysh, me kufizimin e patjetërt të mandatit.

Përvojat e mundimshme me dy proceset e kaluara zgjedhore nuk japin optimizëm se tash do të jetë ndryshe. Komplikimet e mëdha në stabilizimin institucional dhe koalicionet e paharmonishme që rezultojnë me qeveri ishullore, ku secili subjekt është një ishull më vete, krijojnë ngurrime kah marrja e vendimit për shkuarje në zgjedhje të parakohshme. Vetëm një koalicion mirëfilli premtues parazgjedhor, i formalizuar ose ‘i besatuar’, i cili ofron mundësi reale të konfigurimit të shpejtë të qeverisë dhe mospengimin e projekteve gjeopolitike, ka gjasa të marrë përkrahje realizuese.

Ndonëse jo aq të dëshirueshme aktualisht, zgjedhjet janë opsion i përhershëm demokratik.

Koha.netPo rritjen e trysnisë ndërkombëtare në raport me taksën, si e keni vlerësuar?

Muhaxhiri: Tema e taksës e ka kidnapuar sferën politike dhe pa zgjidhjen e saj nuk ka mundësi ecurish.

Kushtëzimi i Kryeministrit Haradinaj, ‘Taksën për Njohjen’,konsiderohet se po e margjinalizon efektivisht rolin e Amerikës dhe BE-së në proces. Këto dy entitete të pushtetshme globale synojnë të kenë rol vendimtar garantues në historicizmin e Marrëveshjes Përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj është utopi e kulluar të mendohet përmbyllja e dialogut në këtë mënyrë të thjeshtëzuar. Ose bllokimi i tij i pafund.

Shembulli hileqar i Demarkacionit me Malin e Zi, kur pas dy vjet e gjysmë zhagitjeje pseudopatriotike u miratua versioni i photoshopuar i marrëveshjes fillestare, është premisë ogurzezë për potencialin negativ të spektrit politik kosovar.

Koha.net: Z.Muhaxhiri, është miratuar në Kuvend Ligji për Dialogun, partitë opozitare e dërguan në Gjykatën Kushtetuese. Ju, si e vlerësoni këtë Ligj dhe, çfarë vendimi mund të pritet nga Kushtetuesja?

Muhaxhiri: Ligji për Dialogun është një intervenim në hapësirën mes personalizimit të deritashëm të procesit nga Presidenti Thaçi dhe refuzimit kategorik të angazhimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! Roli i Ligjit ka të bëjë me ofrimin e kushteve të ndërtimit të një kornize specifike ligjore dhe metodologjike për ngritjen përplotësuese të përfaqësimit institucional kosovar në etapën e fundit të procesit dialogues.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është parësor. Nëse vërtetohet se Ligji për Dialogun shkel ndonjërin nen, atëherë i gjithë Delegacioni Shtetëror do të duhej të ofronte dorëheqje me automatizëm. Ndonëse diskurset kritikuese më shumë duken politike sesa juridike.

Koha.netPo punën e Ekipit negociator në bisedime me Serbinë, si e vlerësoni se po punon? Për herë të dytë po shkojnë pa paralajmërim në Bruksel dhe madje nuk po takohen fare me znj. Federica Mogherini. Çfarë takimesh i vlerësoni të jenë këto?

Muhaxhiri: Delegacioni Shtetëror është i vetëdijshëm për kufijtë e hapësirës manovruese brenda së cilës i kërkohet të veprojë në përputhje me bazën e ndikimit dhe kompetencat që i ka.

Prej tij pritet ta bëjë atë që nuk është bërë deri më tash: të përfshijë në diskutime sa më shumë çështje konkrete që ndërlidhen drejtpërdrejt me kërkesat dhe interesat e qytetarëve, ta monitorojë progresin e realizimit të tyre dhe ta njoftojë objektivisht shoqërinë kosovare. Dobia e punës së Delegacionit do të vlerësohet me ndikimin kualitativ në zgjerimin e fushëveprimit dialogues dhe rritjen e transparencës.

Natyrisht, fuqia politike do të ishte pakrahasimisht më e madhe sikur pjesë e tij të ishin edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE!, por kjo bile është e tepërt të imagjinohet me një konstalacion politik kaq të përçarë.

Koha.net: Si e shihni tani rolin e presidentit Hashim Thaçi në dialog, apo, ka mbetur i njëjti?

Muhaxhiri: Është në stilin e bashkësisë ndërkombëtare që në bisedime të këtilla ta ekonomizojnë qasjen duke e përzgjedhur një përfaqësues për të cilin konsiderojnë se i ndërmjetëson relacionet e pushteteve.

Deri tash, Presidenti Thaçi ka qenë delegat vetmitar në Dialog.

Këtë privilegj herë e ka përdorur për arritjen e ndonjë marrëveshjeje të dobishme, e herë e ka keqpërdorur për protagonizëm. Pas formimit të Delegacionit Shtetëror kompetencat e Presidentit nuk do të jenë totale siç kanë qenë, sepse për një pjesë të rëndësishme të tyre – strukturimin e temave, përgatitjen e pozicionimeve dhe transparencën – llogaridhënie do të kërkohet prej anëtarëve të tij.

Koha.net: Si mendoni që Kosova e Serbia do të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse? A prisni që Serbia ta njohë Kosovën?

Muhaxhiri: Marrëveshja gjithëpërfshirëse, përveç se do ta çlirojë Kosovën nga Serbia, do ta çlirojë edhe Serbinë nga Kosova.

Serbia është ende në një limbo mes mitomanisë tradicionale e trushpëlarjes nacionaliste dhe presionit kushtëzues të pragmatizmit, të theksuar në kriterin e përmbylljes së Kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në BE – normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Njohja e Kosovës nga Serbia është pashmangshmëri historike, mirëpo çështja thelbësore është në delikatësinë e gjetjes kreative të formës. Në këtë aspekt do të përqendrohen energjitë e akterëve vendimmarrës gjatë periudhës vijuese dialoguese.

Koha.net: Shprehen vazhdimisht pakënaqësi nga opozita për qeverisjen aktuale dhe interesim për rrëzim të Qeverisë Haradinaj. Pati gatishmëri edhe nga Lista Serbe por opozita e refuzoi ofertën e tyre. A mendoni që është sinjal që këto parti (VV-LDK) nuk i duan zgjedhjet, se nuk duan sinqerisht bashkëpunimin me Listën Serbe, apo diçka tjetër?

Muhaxhiri: Rrëzimet e qeverive kosovare ndodhin edhe në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, të cilët zakonisht e kanë një opsion të preferuar paszgjedhor dhe një Plan B, nëse opsioni i parë nuk ka sukses.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! janë të vagullta në angazhimet e drejtpërdrejta për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, ndonëse koalicioni qeveritar nuk e ka minimumin e 61 votave. Pamundësia e garantimit të tranzicionit të shpejtë dhe joproblematik ndikon në mungesën e vullnetit për planifikimin aktiv të mocionit të suksesshëm të mosbesimit. Reminishencat e periudhës së koalicionit VLAN nxisin rezerva vepruese ngase përbashkimet e improvizuara mund të sjellin përmbysje të plotë të qëllimeve nismëtare.

Ndërsa me dramatiken e koalicionit PAN po ballafaqohemi të gjithë, sot dhe këtu.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483