Kosova

Dy lagje i merr uji nga vërshimet në Podujevë

Reshjet e shiut dhe borës gjatë tërë natës, kanë bërë që sot sërish të ketë vërshime në disa zona të Komunës së Podujevës.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH), Fevzi Jetullahu, dhe drejtorin e Inspeksionit, Ajet Potera kanë vizituar pjesën e qytetit te Lagja “Shala” dhe “Tovërlanët” ku si pasojë e ngushtimit të shtratit të përroskës dhe daljes së saj nën rrugën magjistrale uji ka vërshuar.

Sipas njoftimit të komunës në këtë zonë që nga mëngjesi ekipi emergjent i komunës dhe kompania e angazhuar ka intervenuar në hapjen shtratit të përroskës.

Gjithashtu kryetari Bulliqi ka vizituar edhe Lagjen “Kërtokët”, ku përroska që kalon andej ka dalë nga shtrati. Gjatë vizitës në teren Bulliqi tha se Komuna e Podujevës, ashtu si edhe para dy javësh, ka angazhuar të gjitha kapacitetet për t’u dalë në ndihmë banorëve në zonat që preken nga vërshimet.