SHËNDETËSIA

Dy gra në gjendje të rëndë nga gripi në QKUK

Dy gra të moshës 50 dhe 36 vjeçare janë në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e gripit që aktualisht është përhapur në Kosovë.

Dy pacientet gjenden në kujdesin intensiv të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Mjeku në Klinikën Infektive Valbon Krasniqi tha se në këtë Klinikë që nga muaji dhjetor trajtim mjekësor me grip sezonal kanë marr rreth 14 pacientë.

Krasniqi derisa ka folur për gjendjen e dy pacientëve që janë në repartin intensiv tha se në Klinikë aktualisht trajtim mjekësor po marrim 3 pacientë, njëri prej tyre fëmijë i cili po trajtohet në repartin e Infektives.

Infektologu Krasniqi tha se prej të gjitha rasteve në muajin dhjetor ka vdekur një person i moshuar, i cili ka qenë i prekur edhe nga sëmundjet tjera.

“Aktualisht në këtë moment që po flasim ne në Klinikë kemi të shtrirë vetëm tre pacientë që janë të konfirmuar të prekur nga gripi sezonal, është një fëmijë që është duke u trajtuar në repart, dhe janë dy të rritur të dyja të gjinisë femërore, të dyja në gjendje të rëndë shëndetësore. Mirëpo njëra është e intubuar e lidhur për aparat nuk mund të marr frymë vetë. Ndërkaq edhe tjetra është po ashtu në intenzivë, por momentalisht nuk është e intubuar. Rasti më i ri që është në gjendje të rëndë është pranuar parmbrëmë e lindur në vitin 1981 nga regjioni i Prizrenit dhe ajo dje na është konfirmuar që e ka gripin. Që nga fillimi i sezonit ose rastet e para kur janë konfirmuar në dhjetor ne në Klinikën Infektive kemi pasur gjithsej të shtrirë diku 13, 14 raste”, tha Krasniqi.

Sipas tij edhe nëpër klinikat dhe Qendrat Mjekësore Familjare ka pasur disa raste me këtë lloj gripi, por që nuk ka qenë e nevojshme të shtrihen në Klinik për trajtim të mëtutjeshëm.

“Sa i përket Klinikave tjera dhe qendrave tjera familjare tek të cilat janë të dyshuara për grip brenda QKU-së shkojnë edhe infektologët dhe nëse dyshojnë marrin mostrat dhe nëse konfirmohen varësisht nga gjendja pastaj ose transferohen në Klinikën Infektive ose lëshohen në shtëpi. Ka edhe disa raste sporadike të cilat janë të konfirmuara por që nuk ka pasur nevojë të vinë në Klinikën Infektive dhe me siguri kanë shkuar në shtëpi”, u shpreh infektologu.

Krasniqi ka treguar edhe për simptomat e gripit sezonal.

Ai rekomandoi që të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz, të ushqehen shëndetshëm, nëse kanë shenja te gripit duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore etj.

“Gripi është një sëmundje e rëndë megjithatë dhe fillon në mënyrë të shpejtë, zakonisht fillon me lodhje me plogështi pastaj me shenjat me shkuarje të hundëve, me kollitje dhe teshtitje shumë shpejt ndërlidhet temperatura e cila është shumë e lartë dhe shkon arrin vlerat deri 40 gradë, apo mbi 40 grand celsius. Më pastaj ka edhe simptoma tjera me dhimbje të barkut, me të vjellura sidomos janë të shprehura dhembjet e muskujve, nyejve dhe eshtrave”, theksoi Krasniqi.

Ditë më parë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka njoftuar se prej 1 tetor 2019 deri më 5 Janar 2020 janë raportuar gjithsej 16.588 raste të dyshimta në grip, 2931 raste Infeksione respiratorë akute dhe 13 raste me infeksion të rëndë respirator akut. Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës dhe Prizrenit, por nuk kalon pragun epidemik. Prej 1 tetor 2019 deri më 5 Janar 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 109 mostra të dyshimta me grip, prej të cilave 9 mostra kanë rezultuar pozitive në grip A dhe një pozitive në grip B.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.