Kosova

Dy ditë “katastrofë humanitare” kundër taksës

Vetëm dy ditë ka zgjatur skenari për inskenimin e një “katastrofe humanitare” në veriun e populluar me shumicë serbe, si kundërpërgjigje ndaj taksës së Qeverisë për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Por serbët kanë paralajmëruar masa të tjera nëse Prishtina nuk e heq taksën.

Madje presidenti serb, Vuçiq, ka sfiduar haptas organet e sigurisë duke thënë se veriu po furnizohet nëpërmjet rrugëve malore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pas mbylljes së dyqaneve serbe kishte çuar tezga për banorët e veriut, ka thënë se nuk do të ketë destabilizim në veri.

“Nuk ka fituar kurrkush, me rëndësi se po kthehet normaliteti atje, nuk po ndodh destabilizim dhe me rëndësi se do të fillojë jeta normale”, ka thënë Haradinaj të mërkurën pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“E kemi obligim kushtetues e ligjor të bëjmë këtë. Në kohën kur po përballemi me disa sfida atje, e vetmja gjë që po dëgjoj prej partive opozitare janë do derte të vogla të tyre”, ka shtuar Haradinaj duke shkaktuar të qeshura tek Ahmeti, i cili drejton PSD-n në opozitë.