Tjera

Dushko Markoviq/ Liga e Malit të Zi do të rinisë me tifozë në stadium

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka bërë të ditur se liga elitare e futbollit në Mal të Zi do të rinisë me një numër të kufizuar të tifozëve në stadium, për dallim të ligave të tjera evropiane që synojnë rinisjen pa tifozë.

Pasi që Mali i Zi nuk e ka asnjë rast aktiv me koronavirus në vend, qeveria malaziase e shpalli pandeminë koronavirus si të përfunduar në vendin e tyre.

Kjo ka bërë që Mali i Zi ta ketë më të lehtë të vendosë për fatin e sezonit 2019/20 në ligat e futbollit – përderisa disa liga evropiane e kanë mbyllur para kohe sezonin e disa të tjera ende synojnë rinisjen.

Në mesin e ligave që së shpejti synon të rinisë është edhe ajo malaziase, e cila megjithatë do të rinisë me tifozë të pranishëm në stadiume, e jo si në vendet e tjera evropiane. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Dushko Markoviq.

“Do të lejohet numër i kufizuar i publikut në ngjarje sportive, me masa të duhura” ka thënë Markoviq.

Kampionati në Mal të Zi rifillon më 30 maj, ndërsa 13 xhirot si dhe gjysmëfinalet dhe finalja e Kupës do të luhen deri më 2 gusht. Barazhi për vend në elitë do të luhet më 3 e 8 gusht.