SPORT

Dumoshi me telegram ngushëllimi për vdekjen e Gëzim Kaçanikut: Humbje e madhe për futbollin

Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, ka ngushëlluar familjen Kaçaniku për vdekjen e Gëzim Kaçanikut, duke thënë se humbja e tij është humbje e madhe për futbollin kosovar.

“E nderuara familje Kaçaniku. Lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, e morëm me pikëllim të thellë. Ikja e hershme e Gëzimit, është humbje e madhe dhe e rëndë jo vetëm për ju familjen dhe miqtë e tij, por për të gjithë ne dhe komunitetin sportiv”, ka shkruar ajo.

Tutje ajo ka shtuar se Gëzim Kaçaniku ka dhënë kontribut të madh për futbollin kosovar.

“Gëzimi ka dhënë kontribut të madh për futbollin e Kosovës, duke u angazhuar si futbollist në kohërat më të vështira të vendit tonë. Puna dhe përkushtimi i tij si futbollist dhe si trajner ka lënë gjurmë të mëdha në futbollin vendor, andaj humbja e tij është humbje e madhe për botën e futbollit dhe për gjithë vendin. Ai, me angazhimin dhe profesionalizimin e paepur për futbolli ka bërë që emri i tij të jetë gjithmonë në kujtesën e miqve, kolegëve dhe të gjithë sportdashësve”, ka shkruar Dumoshi në telegramin e ngushëllimit.

Ajo thotë se Gëzim Kaçaniku ishte person shumë punëtor e pozitiv.

“Kaqa siç e quanin të gjithë, ishte i veçantë, sepse përveç që ishte person shumë punëtor dhe i palodhshëm ishe edhe shumë pozitiv dhe i dashur për të gjithë. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Gëzim Kaqanikut (Kaqës), futbolldashësve dhe FFK-së”, thotë Dumoshi.