Show Biz

Dua Lipa e ftuar speciale në “Sanremo 2020”

Pas lajmit se Alketa Vejsiu do të jetë bashkë prezantuese e festivalit të këngës në Sanremo, duket se festivali më i vjetër në Evropë, njëherësh një nga më prestigjiozët në këtë kontinent, do ta ketë më të madhe se kurrë prezencën e shqiptarëve në edicionin e sivjetmë.

Sipas mediave të huaja dhe atyre italiane, bëhet e ditur se edhe një tjetër emër i njohur shqiptar, që do të jetë e ftuar speciale në “Sanremo 2020”. Fjala është për këngëtaren kosovaro-britanike, me renome botërore, Dua Lipa.

“Pop ylli, Dua Lipa dhe prezantuesi veteran italian, Johhny Dorelli, do të jenë në mesin e të ftuarve specialë në edicionin e sivjetmë të festivalit”, citohet të ketë thënë drejtori artistik i edicionit të 70-të të “Sanremos”, Amadeus. Tutje, ai ka bërë të ditur se këtë skenë do ta hijeshojnë edhe yje të tjerë ndërkombëtarë si, Lewis Capaldi, Mika dhe Emma Marrone.

Padyshim se Dua do ta shfrytëzojë festivalin e famshëm për ta promovuar turneun e saj të ardhshëm, “Future Nostalgia”, i cili do ta sjellë këngëtaren me koncerte në Itali, kah fundi i muajit prill. Turneu “Future Nostalgia”, ka për qëllim promovimin e albumit të dytë muzikor me të njëjtin titull. Albumi pritet të dalë në shitje gjatë kësaj pranvere, dhe e përfshinë hitin e fundit të Duas, “Don’t Start Now”.

Po ashtu, është konfirmuar prezenca e këngëtarit dhe “showman”-it veteran napolitan, Massimo Ranieri, i cili në skenën e festivalit pritet ta sjellë një duet me kantautorin, Tiziano Ferro.

Gjatë një konference për shtyp në “Teatro del Casino”, Amadeus bëri të ditur se në “Sanremo 2020”, do të përfshihen 10 prezantuese të ndryshme nga bota e kinemasë, modës, faqeve rozë dhe spektaklit, si: Georgina Rodriguez, Rula Jebreal, Antonella Clerici, Diletta Leotta, Emma D’Aquino, Laura Chimenti, modelja Francesca Sofia Novello, Sabrina Salerno, Monica Bellucci dhe Alketa Vejsiu.