Bota

Trump besohet se po përgatitet për dhjetëra falje

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të bëjë dhjetëra falje, duke përfshirë kriminelë të dënuar në ditën e tij të fundit të plotë në Shtëpinë e Bardhë, teksa sondazhet tregojnë se shkalla e pëlqimit ndaj tij është në nivelet më të ulëta ndonjëherë, përkatësisht 34 për qind.

Trump pritet të bëjë 60 deri në 100 falje dhe ndryshime dënimesh për një varg personash, sipas raportimeve të mediave amerikane, që kanë cituar burime brenda Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse në listë do të jetë edhe ish-ndihmësi i tij, Steve Bannon, i cili përballet me akuza federale në dyshimet për mashtrime, me qëllim të rritjes së fondeve për ndërtim të murit në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Bannon, i cili ka qenë këshilltar i njohur i Trumpit dhe i ka ndihmuar të menaxhojë fushatën e vitit 2016, është deklaruar i pafajshëm për akuzat.

Në mesin e njerëzve që ende nuk dihet nëse do të falen është edhe Rudy Giuliani, avokat privat i Trumpit, i cili ka qenë përkrahës i pretendimeve të rreme të presidentit për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet e 3 nëntorit 2020, të cilat i ka fituar demokrati, Joe Biden.

Një tjetër paqartësi ka të bëjë me atë nëse Trump do të tentojë të falë veten apo nëse do të përfshijë në listë vajzën e tij Ivanka, dhëndrrin Jared Kushner dhe dy djemtë e tij – Donald Junior dhe Eric.

Faljet për të dhe anëtarët e familjes së tij do të ishin në këtë rast parandaluese, meqë asnjëri prej tyre nuk është i akuzuar.

Shumë njohës të këtyre çështjeve besojnë se falja e vetes nuk do të ishte hap kushtetues sepse shkel parimin që një person nuk mund të jetë gjykatës i rastit të tij.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN ka raportuar se Salomon Melgen, mjek i njohur nga Florida, i cili është në burg pasi është dënuar për disa shkelje të lidhura me mashtrime rreth kujdesit shëndetësor, pritet të fitojë faljen presidenciale.

Në disa raportime është thënë edhe se reperi Lil Wayne, që përballet me 10 vjet burgim, pasi është deklaruar fajtor muajin e kaluar për një akuzë për posedim armësh, do të mund të falet po ashtu.

Kushtetuta amerikane i ofron një presidenti fuqi të mëdha, përfshirë edhe faljen.

Shumica e presidentëve kryejnë falje në ditët e tyre të fundit në zyrë, mirëpo kritikët kanë thënë se faljet paraprake të Trumpit kanë synuar të shpërblejnë aleatët politikë dhe jo të tregojnë mëshirë për rastet ku nuk ka pasur drejtësi të denjë.

Trump, i cili ka qëndruar i qetë në Shtëpinë e Bardhë për disa ditë, pritet të largohet nga Uashingtoni në mëngjesin e 20 janarit, për t’u nisur drejt klubit të tij Mar-a-Lago në Florida.

Biden nis udhëheqësinë në mesditën e po asaj dite.

Zonja e Parë, Melania Trump ka publikuar më 18 janar një mesazh lamtumirës, duke thënë se pozita që ka mbajtur ka qenë nderi më i madh i jetës së saj.

Përmes një video-materiali gjashtëminutësh, ajo ka nderuar familjet e ushtarëve, punëtorët shëndetësorë që kanë punuar gjatë pandemisë dhe ata që u kanë ndihmuar personave që abuzojnë me opioide.

“Katër vjetët e fundit kanë qenë të paharrueshme”, ka thënë Zonja e Parë.

“Teksa Donaldi dhe unë përfundojmë kohën tonë në Shtëpinë e Bardhë, mendja më shkon te të gjithë personat që i kam në zemër dhe historitë e tyre të jashtëzakonshme të dashurisë, patriotizmit dhe vendosmërisë”.

Ajo u ka bërë thirrje njerëzve që të kenë pasion për gjithçka dhe “të kujtojnë gjithmonë se dhuna nuk është përgjigje dhe nuk do të arsyetohet kurrë”.