SPORT

Dresheviq me sy nga “Euro 2020” dhe një ligë më e fortë

Për Ibrahim Dresheviqin javët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme. Në një intervistë për mediumet holandeze të enjten ka folur për synimet që ka për të ardhmen. 

Pos synimit për të luajtur në një kampionat më të fortë se Eredivisie, ku aktivizohet me skuadrën e Heerenveenit, Dresheviq synon që edhe me Përfaqësuesen e Kosovës të jetë pjesë e Evropianit që mbahet këtë vit, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, kualifikimi i Kosovës në “Euro 2020” nëpërmjet plejofit të Ligës së Kombeve do të ishte sukses shumë i madh. Ai thotë se këtij suksesi do t’i gëzoheshin të gjithë banorët e Kosovës, që, sipas tij, janë të çmendur pas futbollit, veçanërisht pas ndeshjeve të “dardanëve”. 

Dresheviq deri më tash ka dy paraqitje me Kosovën. Luajti në miqësoren kundër Gjibraltarit në muajin tetor të vitit të shkuar, të cilën Kosova e fitoi 1:0 dhe në ndeshjen eliminatore për “Euro 2020” kundër Anglisë. 

Këtë ndeshje të luajtur në Prishtinë, Kosova e humbi 4:0 në nëntor. Në të dyja ndeshjet, Dresheviq ishte i pazëvendësueshëm, por u aktivizua në role të ndryshme. Me Gjibraltarin u aktivizua si qendërmbrojtës, derisa me Anglinë ishte në rolin e mesfushorit defensiv. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.