Tjera

Drejtoria e Urbanizmit përmes hartave zonale synon parandalimin e ndërtimeve pa kritere në Lipjan

Komuna e Lipjanit, pikërisht drejtoria për Urbanizëm gjatë periudhës së fundit kohore është duke e hartuar dokumentin e hartave zonale.

Ndërkohë, të mërkurën, ka organizuar edhe një debat publik për disa zona të qytetit.

Me këtë rast drejtoresha e Urbanizmit në Komunen e Lipjanit, Emina Rexhiq, para qytetarëve dhe ndërtuesve të kësaj komune ka thënë se përmes hartave zonale do të vendosen kritere të reja për ndërtime.

Sipas saj, asnjë objekt banesor nuk do të lejohet të ndërtohet pa i plotësuar të gjitha kriteret duke u nisur nga distanca ndërmjet tyre, hapësira e rrugës me qëllim të hyrjes së zjarrfikësve në raste të zjarreve, hapësirat gjelbëruese dhe një varg kriteresh të tjera.

“Prej 20 vitesh asnjë objekt në Lipjan nuk ka ndërtuar shkallë emergjente, pastaj janë ofruar ndërtesat njëra me tjetrën dhe sikur të ndodhë diçka, zjarrfikësit nuk mund të ofrohen për ta fikur zjarrin. Deri tash, objektet e kanë ndërtuar vetëm një ashensor, gjë që nuk do të ndodhë më. Por, me harta zonale do të specifikohet gjithçka. Pra, nuk do të ndodhë që dikush nga dritarja me e pyet komshiun: ‘A do kafe’, por do të ketë distancë ndërmjet objekteve”, ka thënë midis të tjerash Rexhiq.

Ajo ka shtuar se nuk do ta ndalojë askënd të ndërtojë, por ndërtimet do të kenë kritere sipas ligjit që e përcaktojnë edhe hartat zonale. Në anën tjetër, këto prezantime u kanë pëlqyer qytetarëve por jo edhe ndërtueseve.

Në mesin e ndërtuesve Bajram Gashi, me këtë rast ka thënë se ekipet e komunës duhet të dalin edhe në terren, për ta parë gjendjen faktike në disa zona. Sipas tij, aty ku ndërtohen objektet banesore, nëse është plani zhvillimor deri më 2023, atëherë etazhiteti le të mbetet 3.6, siç ka qenë në të kaluarën.

“Unë e kam dhjetë kate objektin aty të ndërtuar dhe në pjesën tjetër janë nga dhjetë kate, kurse në mes të objekteve është planifikuar P+6. Nuk është marrë gjendja faktike aty, kurse ne kemi kontrata me njerëz dhe kemi bërë kërkesa dy vjet për ta zhvendosur rrugën, e cila sipas hartave zonale është vendosur para objektit, kurse në faqen e komunës figuron se është prapa objektit”, ka thënë Gashi, duke kërkuar që të merren parasysh kërkesat e ndërtuesve, sepse kanë shpenzuar miliona euro për të blerë parcela.

“Aty ku unë i kam parcelat kanë intervenuar njerëzit për ta bërë atë zonë vetëm gjashtë kate”, ka shtuar Gashi./Koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.