Kosova

Drejtori në Shërbimin Korrektues hedh akuza të shumta për menaxhmentin dhe ministrinë

Ish-kandidati për drejtor të burgjeve në Kosovë, Ali Gashi, në “Puls” të KTV-së ka hedhur akuza të shumta për menaxhmentin në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Gashi, i cili udhëheq me Drejtorinë e Trajtimit të të Burgosurve dhe të Miturve në SHKK, ka thënë se për një periudhë të gjatë ndaj tij ka pas shkelje ligjore dhe ka pasur degjenerim të sistemit korrektues.

Ai ka treguar se nuk ishte ftuar fare për intervistë kur kishte kandiduar për drejtor të përgjithshëm të burgjeve. Sipas tij, arsyetim ishte se nuk përmbushë kriteret. Ka treguar se pas kësaj ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, duke ndikuar në anulim të konkursit. Tani ai ka treguar se pret thirrjen nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Më 10 tetor 2018, u mor vendimi se aprovohet si e bazuar ankesa nga Ali Gashi. Aty thuhej se shfuqizohet vendimi i komisionit të ankesave për pozita të larta drejtuese. Konkursi megjithatë s’u anulua sepse siç duket Ministria e Administratës Publike dhe ajo e Drejtësisë kanë bërë padi në Gjykatën Themelore ku përkohësisht është pezulluar çështja”, ka shpjeguar ai.

Gjatë gjithë periudhës së pezullimit të konkursit e deri tash, Gashi ka thënë se ka pasur presione të shumta nga drejtori i Përgjithshëm, Nehat Thaçi.

Gashi ka thënë se ka pasur së paku dy herë kërkesa që të tërhiqet nga kjo garë. Ai ka kritikuar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, për neglizhim të rastit. Sipas Gashit, Tahiri është dashur të merrej me rastin e tij.

Sipas Gashit, sektori që ai udhëheq tash është më i diskriminuari. Ka thënë se në Shërbimin Korrektues ka parë shkelje të shumta e ku ka përmendur se “janë rehatuar 50 mbikëqyrës të lartë me konkurs të brendshëm”. Sipas tij, këta zyrtarë nuk kanë përgatitje përtej shkollimit të mesëm.

Sipas Gashit, në rastin e tij janë bërë 21 shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore.

Ka thënë se politika mund të ketë ndikim sepse ai nuk i përket partive në pushtet. Ka treguar se për tri mandate ka qenë anëtar i kryesisë së LDK-së.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.