Kombëtare

Drejtori Komunal në Gjilan e quan “të paaftë” Vjosa Osmanin, i thotë “të merret” me familjen

Një drejtor i Komunës së Gjilanit vazhdon të përdorë fjalor të papërshtatshëm në rrjetet sociale.

Drejtori i shërbimeve publike, Naser Korça ka shfrytëzuar rrjetin social “Facebook” dhe ka komentuar për zhvillimet politike, të cilat kanë ndodhur sot dhe pezmi i tij kësaj radhe i është drejtuar kryeparlamentares Vjosa Osmani, të cilën e ka quajtur “si të paaftë”, teksa e ka këshilluar “që të kujdeset për dy vajzat e saj”.

“Vjosa Osmani shko merru me fëmijët e tu, vajzat aq të bukura e që ju dëshiroj jetë të gjatë e të lumtur, nuk je ti për politikat e LDK-së”, ka shkruar ai.

Rreth kësaj, KOHA ka tentuar që të marrë një përgjigje nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, mirëpo i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

KOHA ka kontaktuar edhe zëdhënësin e komunës, Ibrahim Ademi mirëpo as ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Telefonin nuk e ka hapur as drejtori i shërbimeve publike, Naser Korça i cili ka bërë këto komente.

Ndryshe Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ishte ankuar se një pjesë e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po e ofendojnë dhe po shpifin ndaj saj.

Ajo kishte deklaruar se nuk do të qëndrojë e heshtur ndaj këtyre ofendimeve.