Kosova

Draft-Platforma e Qeverisë autorizon edhe kryeministrin edhe presidentin për dialogun

Përfaqësimi i Kosovës në negociatat me Serbinë përbën mospajtimin më të fortë që janë duke e demonstruar në publik presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti. Secili nga ta këmbëngul që vendin ta udhëheqë vetë në këtë proces.

Thaçi është bazuar në hierarkinë shtetërore, kur ka argumentuar se ai do t’i prijë ekipit të Kosovës, që më 27 qershor do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për t’u përballur me delegacionin serb.

Edhe kreu i Qeverisë thotë se shteti do të përfaqësohet nga ai në dialogun me Serbinë, raporton KOHA.

Arbëresha Loxha është drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike. Ajo druan se kjo qasje dualiste e krerëve institucionalë, do të prodhojë pasoja për vendin.

Por, pikërisht në Platformën për dialogun që Qeveria e ka në hartim janë bërë përpjekje kompromisi që t’i jepet zgjidhje çështjes së përfaqësimit.

Një zyrtar qeveritar, që ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se në draftin e këtij dokumenti ndodhet një pikë, sipas së cilës presidenti e edhe delegacioni i Kosovës, që do të kryesohet nga kryeministri, do të jenë të autorizuar që t’i zhvillojnë bisedimet. Por në të identifikohet presidenti si autoritet që obligohet të raportojë në baza të rregullta në Kuvendin e Kosovës gjatë gjithë rrjedhës së dialogut.

Në Qeveri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me përmbajtjen e draftit të Platformës dhe as nëse kjo pikë e dokumentit do të mund të ndryshojë.

Arbëresha Loxha konsideron se një formulim i këtillë do të ishte jokushtetues, pasi rikujton se Gjykata Kushtetuese ia njeh vetëm kreut të Qeverisë të drejtën për ta udhëhequr Kosovën në dialogun me Serbinë.

Një gjuhë e përafërt me përmbajtjen që pritet të jetë në Platformë, është përdorur edhe në Programin e Qeverisë Hoti, në kapitullin që u referohet negociatave me Serbinë. Për dallim prej programit të Qeverisë VV-LDK, Programi i Qeverisë aktuale e ka përfshirë edhe presidentin në proces të dialogut, duke theksuar se ai do ta përfaqësojë vendin në bazë të kompetencave kushtetuese.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.