Kombëtare

Pejë, mashtrohen dy këmbimore me dollarë falso

Pasditen e së shtunës një person në një këmbimore të Pejës ua dha 2500 dollarë false, të gjitha në kartëmonedha të vlerës prej 50 dollarësh, ku pastaj i mori 2 mijë e 37 euro origjinale.

Vetëm pas 20 minutave i njëjti person, në formën e njëjtë të mashtrimit me para false i mori 2 mijë e 50 euro, njofton Klan Kosova

E gjithë kjo nuk ishte vërejtur fare nga dy pronarët e këmbimoreve, ngase në aparatet me të cilët këta verifikojnë paratë, nuk kishin rezultuar si të falsifikuara.

Megjithëkëtë, që të dy e lajmëruan rastin në polici e cila tashmë ka nisur hetimet.

“Nuk i kanë vërejt kur i kanë verifikuar me aparate por pas pak kohe kur i kanë prek me duar e kanë vërejt se janë të falsifikuara. Është kontaktu prokurori i shtetit, rasti është cilësuar si falsifikim i parasë, ta shofim a do të vazhdohet rasti të hetohet në Pejë apo do të kalojë në drejtorinë e krimeve ekonomike”, ka thënë Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.