Kosova

Dosja penale e zv.ministrit të Shëndetësisë: I dënuar për shitje ilegale të barnave, i akuzuar për korrupsion

Brenda 30 ditësh zëvendësministri i Shëndetësisë, nga radhët e AAK-së, Pjetër Ndou, është dënuar për shitje ilegale të barnave e është akuzuar në një rast tjetër, për korrupsion me patentë shoferë.

Veprimet inkriminuese të aktakuzës, e cila ka përfunduar me dënim, Ndou i ka bërë në cilësinë e pronarit të një barnatoreje në Gjakovë. Veprimtari të jashtëligjshme e shitje të barnave, ndër të tjera, edhe pa banderola fare ose me banderola të shteteve të rajonit janë shkeljet penale që përmban aktakuza, raporton KOHA.

Ndou ka pranuar fajësinë. Është dënuar me 1 500 euro gjobë muajin e kaluar.

Ndërkohë hetimet ndaj tij për një rast tjetër korruptues janë finalizuar me ngrite të aktakuzës.

Dy javë më parë Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka proceduar atë në gjykatë dhe pritet shqyrtimi i saj.

Në këtë rast Ndou është i përfshirë në cilësinë e këshilltarit të Pal Lekajt, në kohën kur ai ishte ministër i Infrastrukturës. Ai dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës akuzohen për disa vepra që lidhen me korrupsionin e që kanë të bëjnë me keqpërdorime të patentë shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ndou qe dy ditë nuk i është përgjigjur interesimit të KOHËS për këtë çështje, ndërsa ministri Armend Zemaj çështjen se zëvendësi i tij ka histori kriminale e ka konsideruar jashtë kompetencës së tij për ta komentuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se kundër tij dhe dy të tjerëve është ngritur aktakuzë.

“Referuar pyetjes së parashtruar nga ana juaj, lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas ndërmarrjes së një mori veprimesh nga ana e prokurorit të çështjes, ka ngritur aktakuzë kundër personave të poshtëshënuar. Aktakuza është proceduar në gjykatë për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigje.

LDK-ja ishte zotuar se në qeverinë e cila do të udhëhiqej nga kjo parti nuk do të kishte anëtarë të kabinetit që akuzohen për korrupsion.

Nga Zyra e kryeministrit Hoti nuk kanë dhënë përgjigje në lidhje me anëtarin e kabinetit qeveritar me dosje penale.

Pjetër Ndou ishte arrestuar në vitin 2018, si pjesë e aferës së njohur si “dallaveret me patentë shoferë”. Aksioni i arrestimit dhe hetimi atëkohë ishin kryer nga Task-Forca Kundër Korrupsionit, e cila është shuar javë më parë me vendim të kryeministrit Hoti.