INTERVISTA

Doris Pack: VV e LDK të tregojnë se janë të afta të krijojnë një qeveri

Diplomatja dhe politikania gjermane Doris Pack në një intervistë për Gazetën Express ka folur për zhvillimet politike në vend me theks të veçantë për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Kryetarja e grupit të grave të EPP-së është shprehur se Vetëvendosja dhe LDK-ja duhet të bëjnë kompromise dhe të nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit sa më parë. Doris Pack ka thënë po ashtu se Albin Kurtit duhet t’i ipet kohë që ta dëshmojë veten si Kryeministër.

Sa i përket zvarritjeve për liberalizimin e vizave ajo thotë se është e padrejtë që kosovarët të mbahen të izoluar, megjithatë beson që viti 2020 do të jetë vit i heqjes së regjimit të vizave për Kosovën.

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian ka folur edhe për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Doris Pack as Kosova e as Serbia nuk do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian pa i zgjidhur problemet mes tyre. Ajo ka komentuar edhe iniciativën e Mini-Shengenit ballkanik duke thënë se kjo iniciativë nuk do të mund të ndodhë pa Kosovën.

Gazeta Express: A mendoni se Vetëvendosja dhe LDK-ja duhet të nënshkruajnë koalicionin dhe të formojnë qeverinë e re sa më parë që është e mundur?

Doris Pack: Një qeveri e qëndrueshme, e cila do t’i adresojë nevojat e qytetarëve dhe që do t’i vazhdojë reformat e kërkuara për zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, duhet të formohet sa më shpejt që është e mundur. Demokracia në Kosovë është e brishtë dhe nuk mund t’i bëjë ballë mungesës së një qeverie funksionale. Dy partitë që i kanë fituar zgjedhjet duhet të jenë të afta ta nënshkruajnë marrëveshjen që do t’ia ofronte Kosovës një qeveri stabile, të bazuar në respekt dhe besim të ndërsjellë. Prandaj, të dy partnerët duhet të bëjnë kompromise, kështu funksionojnë vendet demokratike. Shikojeni Austrinë! Pas zgjedhejve, unë u takova me anëtarë të dy partive dhe pata përshtypjen se për këtë ekziston një mirëkuptim.

Gazeta Express: Duke pasur parasysh orientimin politik të djathtë dhe të majtë të Vetëvendosjes dhe LDK-së, a mendoni se dy partitë do të qeverisin mirë me Kosovën dhe si e shihni Albin Kurtin në postin e Kryeministrit të ardhshëm?

Doris Pack: E njoh Kurtin prej kohës kur ishte student dhe kur më kishte vizituar në zyrën time në Bruksel. E mbaj mend kur ai ishte në burg dhe prandaj e kuptoj paksa personalitetin e tij.

Z.Kurti nuk është dëshmuar në pozita publike deri më tash. Përderisa ishte në opozitë, ai i ka kundërshtuar fuqishëm të gjitha qeveritë dhe madje kishte plane konkrete për ta qeverisur vendin ndryshe. Unë besoj se ne të gjithë duhet t’i japim atij ca kohë për ta dëshmuar veten dhe t’u japim kohë dy partive që të dëshmojnë se koalicioni do të funksionojë. Ashtu si kudo, kur partitë me orientime të ndryshme politike formojnë koalicion, ka sfida për gjetjen e rrugës së përbashkët, por gjithmonë ekzistojnë mundësi që të kultivohet kultura e dialogut, kompromisit dhe mirëbesimit.

Gazeta Express: A mendoni se rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë në njohjen reciproke të pavarsisë së dy shteteve në kufijtë aktualë?

Doris Pack: As Serbia, as Kosova nuk do të bëhen pjesë e BE-së pa i zgjidhur problemet e tyre dypalëshe.

E kaluara nuk duhet ta pengojë kaq shumë procesin. Mirëqenia e sotme e qytetarëve dhe fati i gjeneratave të ardhshme duhet të jenë forcë shtytëse për të dyja palët. Ndarja nuk është në interesin e askujt, ajo do të krijonte edhe më shumë probleme. Unë jam në favor të një marrëveshjeje në bazë të kufijve të tanishëm mes të dyja vendeve, e cila do t’i adresonte të gjitha çështjet e mbetura dhe e cila do të mund të zbatohej në praktikë. Kjo gjithashtu nënkupton që Plani i Marti Ahtisarit, në të cilin është bazuar pavarësia, duhet të përmbushet. Qytetarët e Kosovës ende po përballen me izolim dhe nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

Gazeta Express: A mendoni se në vitin 2020 institucionet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian do të heqin regjimin e vizave për Kosovën?

Doris Pack: Siç kam theksuar shumë shpesh, ndihem e turpëruar që Kosova ende është shteti i vetëm në Evropën Juglindore me këtë regjim. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian. Kjo është konfirmuar disa herë nga vetë Komisioni. Parlamenti Evropian gjithashtu u ka bërë thirrje disa herë shteteve anëtare që ta japin dritën e gjelbër. Prandaj, është e rëndësishme që të lëvizet sa më shpejt në këtë aspekt për t’ua ofruar kosovarëve udhëtimin pa viza. Të shpresojmë që ky do të jetë viti kur kjo gjë të ndodhë. Llogaris që presidenca kroate e BE-së do ta shtyjë përpara këtë qëllim.

Gazeta Express: A mendoni se iniciativa e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për Mini-Shengenin ballkanik do të jetë i suksesshëm pa përfshirjen e Kosovës?

Doris Pack: Nismat rajonale janë të suksesshme në mënyrë të plotë, kur përfshihen të gjitha shtetet. Fjala Mini-Schengen është fjalë e bukur, por boshe. Ajo u shërben disa liderëve që të duken sikur po ndryshojnë diçka për të mirë. Fakti është: Pa Kosovën, kjo nuk mund të ndodhë. Nëse kryeministri Rama vërtet do të pajtohej me këtë do të bënte tradhëti ndaj Kosovës.