Kosova

Dorëheqja e Maxhunit, pritet të jetë bashkëpunimi i parë mes Thaçit dhe Kurtit?

Shefi i deritanishëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni, dje ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, duke mos dhënë asnjë arsye për largimin e tij nga posti që mbante.

Sipas Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, thuhet se Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës duhet emëruar bashkë drejtorin e AKI-së brenda 20 ditëve që nga lirimi i pozitës.

Neni 5.3 Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Ndërsa, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë të mbajtura më 6 tetor, ku Lëvizja Vetëvendosje (VV) doli partia më e votuar në vend, në krye me liderin e saj, Albin Kurti, i cili pritet shumë shpejtë të marr postin e kryeministrit.

Nëse arrin të formohet Qeveria e re e Kosovës para se të bëhen 20 ditë, atëherë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët që të emërojnë shefin e ardhshëm të AKI-së.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një përgjigje për GazetënBlic tha se shefi i ardhshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) duhet të emërohet sa më parë nga presidenti dhe kryeministri i vendit pavarësisht raporteve që kanë.

“Në bazë të ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe legjislacionin e aplikueshëm, Drejtori i Agjencisë për punën e tij i përgjigjet drejtpërdrejtë Kryeministrit të vendit. I njëjti shërben si këshilltar dhe ndan informacione sipas ligjit me Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin lidhur me çështje të sigurisë”, tha Miftaraj.

“Në këtë drejtim, pa marr parasysh mos pajtimet apo dallimet që mund të kenë Presidenti dhe Kryeministri i vendit, e kanë obligim ligjor që të bëjnë emërimin e Drejtorin të Agjencisë në një afat sa më optimal të mundshëm, nga koha kur do të kemi qeverinë e re”, shtoi ai.

Miftaraj tha se liderët shtetëror duhet të ndalin praktikat e këqija që janë ndërtuar në të kaluarën, ku në krye të këtij institucioni janë emëruar persona me të kaluar të dyshimtë e të lidhur me parti politike.

“Presidenti dhe Kryeministri duhet të ndalin praktikat e këqija të ndërtuara në të kaluarën kur në këto pozita janë emëruar kryesisht persona me të kaluar të dyshimtë, të lidhur me parti politike apo grupe të caktuara të interesit”, tha ai për GazetënBlic, transmeton Kosova.info.

Ai tha se emri i ri i shefit të AKI-së duhet të jetë me kualifikime profesionale, i pranueshëm nga të gjithë, e po ashtu edhe nga shtetet mike të vendit.

“Kosova ka ekspertë të sigurisë të cilët kanë integritet dhe kanë kualifikime profesionale për të ushtruar këtë pozitë.  Në këtë drejtim duhet të pritet nga dy krerët shtetërorë, me përfshirje më të madhe të Kryeministrit në përzgjedhjen e një personi që është i pranueshëm edhe për publikun, por edhe për shtetet mike të Kosovës”, shtoi Miftaraj.

Ndërsa, Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, i tha GazetësBlic se drejtori i ardhshëm i AKI-së duhet të ketë besimin e plotë të Thaçit dhe Kurtit.

“Është mendim dhe veprim politik i kryeministrit të ardhshëm Kurtit dhe presidentit të Kosovës, mendoj se emri për emërimin e drejtorit të AKI duhet të jetë njeri kredibil dhe ta ketë besueshmërinë edhe të Thaçit dhe Kurtit”, tha ai.

Islami tha se emri i cili do të zgjidhet duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët.

“Duhet të jetë njeriu i duhur, të jetë i pranueshëm edhe për presidentin dhe kryeministrin pavarësisht zbatimeve konceptuale të politikave deri më sot të Thaçit dhe opozitarizmit të drejtë dhe denjët të Kurtit”, tha Islami.

“Emri iu takon ekskluzivisht kryeministrit në ardhje dhe presidentit”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.