SPORT

Donjetës i mjafton vendi i gjashtë, por ajo insiston për të parin

Boksierja Donjeta Sadiku është në vlugun e përgatitjeve për paraqitje në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Donjeta aktualisht është në një kamp në Trabzon të Turqisë, ku po zhvillon meçe përgatitore me boksiere nga vende të tjera.

Turneu kualifikues evropian mbahet në Londër prej 13 deri më 23 mars. Deri atëherë 20-vjeçarja pret të marr pjesë edhe në një kamp tjetër, raporton Koha.net.

Në turneun kualifikues evropian, Donjeta do të kërkojë normën olimpike në kategorinë deri 60 kilogramë. Në këtë kategori normën e fitojnë gjashtë boksieret e ranguara më së miri. Pra Donjetës do t’i mjaftojë edhe vendi i gjashtë për të siguruar paraqitjen në Tokio, në ngjarjen më të madhe shumësportëshe. Por Donjeta insiston se në Londër do të kërkojë vendin e parë.

“Jam në kamp përgatitor në Trabzon të Turqisë. Në këtë kamp po paraqiten boksiere nga 6-7 vende evropiane. Po zhvillojë shumë meçe me boksiere kampione e nënkampione të botës e të Evropës”, ka thënë Donjeta Sadiku për Koha.net.

Ajo te të rejat ka arritur suksese kulmore. Ka fituar medalje botërore e evropiane. Ndërkohë është në pritje të sukseseve të njëjta në nivel senior. Pjesëmarrjen në kampin në Trabzon, Donjetës ia ka mundësuar Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Pas disa ditësh do të kthehem në Kosovë dhe do të vazhdojë përgatitjet. Më pas shpresoj të marr pjesë edhe në një kamp përgatitor, ku sërish do të bëjë sparing me boksiere cilësore. Në Londër më mjafton vendi i gjashtë për kualifikim në Olimpiadë, por unë synoj vendin e parë. Jam në formë të mirë, po përgatitem mirë dhe jam optimiste”, ka shtuar Sadiku, që trajner e ka Besim Brahimin.

Aktualisht plot pesë xhudistë janë në zonën që siguron normën për pjesëmarrje në Tokio 2020. Normë ka fituar edhe mundësi Egzon Shala. Të tjera norma synohen në boks e në ndonjë sport tjetër.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.