Kosova

Dogjën komunën, nisën aeroplanët luftarak, Kurti reagoi e KFOR-i po i përcjellë

Në mesnatën e së shtunës Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është djegur nga serbët të cilët nuk po e pranojnë reciprocitetin për targat.

Po ashtu u bë e ditur se serbët kanë hedhur granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk kanë arritur ta djegin.

Pas këtyre veprimeve reaguan edhe krerët e shtetit.

I pari ishte Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai këto veprimi i cilësoi si akte kriminale me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdoj me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, njoftoi ministri Sveçla përmes një njoftimi në Facebook.