Kronika e zezë

Dogana gjen rreth shtatë kilogramë substancë narkotike të fshehur në një veturë në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se kanë gjetur dhe sekuestruar shtatë kilogramë drogë të fshehur në një veturë në Vërmicë të Prizrenit.

Siç njoftohet gjatë kontrollit me njësitet e saj antikontrabandë, është zbuluar substanca e dyshuar si narkotikë.

Dogana thotë se rasti më tej do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës për hetime të tjera.

“Njësitet Antikontrabandë në PKK Vërmicë gjatë kryerjes së detyrës kanë selektuar për kontrolle me detaje një veturë të dyshimtë, dhe me këtë rast në hapësira të fshehura është gjetur substancë e dyshuar si narkotikë. Për momentin është duke u vazhduar kontrolli, dhe pas përfundimit të kontrollës do të konstatohet sasia e saktë dhe rasti do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.