Kosova

DnV: Partitë shkelën masat kundër COVID-19 gjatë fushatës

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) tha se gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore, që mbaroi më 12 shkurt, kanë vërejtur se partitë politike kanë bërë shkelje, sa i përket masave kundër koronavirusit.

Në një konferencë për media të mbajtur të shtunën, Veton Mujaj nga DnV tha se gjatë fushatës ka qenë një atmosferë përgjithësisht e qetë, me shumë aktivitete të mbajtura nga subjektet politike, që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

“Në shumicën e këtyre aktiviteteve që kanë realizuar subjektet politike, mosrespektimi i masave për COVID-19 ka qenë shumë evident. Këto aktivitete janë shoqëruar me grumbullime të mëdha të qytetarëve në tubimet publike, duke mos respektuar rregullat për distancë sociale dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur”, tha Mujaj.

“Po ashtu, elemente të gjuhës së urrejtjes në baza politike nuk kanë munguar në aktivitete zgjedhore”, shtoi ai.

Sa i përket mbarëvajtjes së fushatës në komunat e banuara me shumicë serbe, Dushan Radakoviq nga DnV, tha se fushata u zhvillua në mënyër paqësore, pa ndonjë incident. Ai tha se në tubimet e mbajtura nga subjektet politike, është respektuar masa, që në to të mos marrin pjesë mbi 50 persona.

Mujaj, ndërkaq, theksoi se partitë politike kanë publikuar me vonesë programet e tyre politike, dhe sipas tij, ato kanë paraqitur një vazhdimësi të programeve të mëhershme.

Ai po ashtu ka theksuar se gjatë fushatës dhjetëditore, gratë nuk kanë pasur përfaqësimin e duhur, përkatësisht nuk është respektuar kuota prej 30 për qind, as në paraqitjet e tyre në tubime me qytetarë dhe as në media.

Sa i përket ditës së zgjedhjeve, DnV-ja tha se ka të angazhuar 498 vëzhgues dhe 100 ekipe mobile.

DnV ka vendosur që më 14 shkurt, t’ vëzhgojë zgjedhjet me metodologjinë e njohur si Numërimi Paralel i Votave (PVT). Kjo metodologji për vëzhgimin e zgjedhjeve do të realizohet me ndihmën teknike të ofruar nga departamenti për çështje ndërkombëtare të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI). Të dhënat që merren nga terreni, tha DnV, më pas do të përpunohen nga qendra e thirrjeve që është në Prishtinë.

Ky koalicion i organizatave tha se më 14 shkurt, në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë periodike do të njoftojë për parregullsitë eventuale, por edhe për numërimin e votave.

Demokracia në Veprim inkurajoi qytetarët që më 14 shkurt të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik, pa presion dhe pa frikë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka akredituar rreth 30 mijë vëzhgues për zgjedhjet e 14 shkurtit.