Kosova

DnV: “Mos prito, dil dhe voto!

Koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim, me 2, 700 vëzhguesit e saj është bërë gati për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen nesër.

DnV përmes vëzhguesve të saj do të jetë e pranishme në të gjitha 2,547 vendvotimet në vend, ndërsa për t’i asistuar ata janë angazhuar rreth 100 ekipe mobile. Të dhënat nga terreni do të përpunohen nga Qendra e Thirrjeve, e vendosur në Prishtinë, në të cilën janë angazhuar rreth 170 vullnetarë, dhe do të raportohen në mënyrë periodike, me zhvillimet ditore rreth procesit të votimit dhe të numërimit.

Ismet Kryeziu nga DnV, në një konferencë për media, ka inkurajuar të gjithë qytetarët, partitë politike dhe të gjithë akterët që edhe nesër më 6 tetor, të shfaqin kulturë zgjedhore, ashtu siç demonstruan gjatë fushatës zgjedhore.

Kryeziu u bëri thirrje subjekteve politike dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e zgjedhjeve të tregojnë maturi dhe të jenë në nivel të lartë të përgjegjësisë për të garantuar një proces demokratik dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

“Subjektet dhe institucionet të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin dhe organizimin e zgjedhjeve, ne iu bëjmë thirrje që nesër ta japin kontributin e tyre maksimal, duke siguruar që të kemi një garë demokratike, një garë fer, e cila do të garantoj liri të drejtë pa cenuar, pa frikë që qytetarët e Kosovës të votojnë në ditën e nesërme”, deklaroi Kryeziu.

Ai shtoi se është e rëndësisë së veçantë për qytetarët që nesër bindja e tyre programore, ideologjia dhe vizioni i tyre të bëhet realitet. Për këtë, DnV kërkon nga qytetarët të dalin të votojnë dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

“Të ndërtuar qytetarë të Kosovës, është e rëndësisë së veçantë që nesër bindja juaj programore, ideologjike, vizioni i juaj të bëhet realitet. Nesër mos rri në shtëpi, por dil dhe voto. Unë do të votoj, voto edhe ti”, deklaroi ai.

Kryeziu tha se retorikat provokuese dhe çdo rrethanë që nxit dhunë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme, ndërsa, institucioneve të sigurisë iu bëri thirrje të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë zgjedhore.

Ndërsa, DnV nesër ka paraparë t’i mbajë pesë konferenca për media.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.