Kosova

Ditët kur pati më së paku dhe kur më së shumti raste me Covid-19 në Kosovë

Që nga rasti i parë me koronavirus në Kosovë e deri më sot, situata me numrin e të infektuarve me këtë sëmundje ndryshonte. Rënia më e madhe e atyre që rezultonin pozitiv ishte fundprilli dhe fillimi i majit, por që tani është krejt tjetër pasqyrë.

13 marsi shënon datën kur në Kosovë u zyrtarizua koronavirusi.  Dita më alarmante ishte 17 prilli kur plot 79 raste dolën pozitiv në testim krahas një të shëruari. Ditët pasuese vërehet një ulje e rasteve. Kështu më 28 prill rezultuan me virus 10 persona kundrejt trefishit sa u shëruan, 31.

Lakorja e personave të infektuar brenda 24 orëve ra edhe më tej ditëve në vazhdim ku më 4 maj ishte shumëfish më e ulët se ajo e të shëruarve.

Në këtë ditë vetëm një rast u konfirmua me Covid-19 teksa 87 të tjerë e kishin mposhtur atë.

Trendi i ulët i të infektuarve vazhdoi pothuajse gjatë tërë majit e në ditën e 24 të këtij muaji ishte hera e parë pas 13 marsit kur  u regjistruan zero raste krahas katër sa ishin shëruar.

Ky trend por edhe largimi i masave nga qeveria sikur relaksoi qytetarët që filluan të dalin më në numër.

Gjatë qershorit u vërejt rritje e të infektuarve deri në atë masë sa më 15 qershor u regjistruan raste treshifrore, plot 129 pozitivë krahas 10 sa gjetën shërim.

Një ditë më vonë të infektuar pati edhe më shumë, 141 raste të reja dhe veç pesë e kishin kaluar pandeminë.

Por numër alarmant u shënua të shtunën e parë të korrikut. 178 raste dolën pozitive që është numri më i lartë i regjistruar që nga shfaqja e pandemisë, teksa 50 u shëruan.

E kjo ditë ishte më e rënda edhe sa u përket rasteve që përfunduan me fatalitet. Vdiqën tetë persona për të cilët u tha se kishin edhe sëmundje të tjera.

Ndërsa katër të vdekur u shënuan deri në orët e pasdites së kësaj të diele.

Me nga tre vdekje u shënuan datat 20 e 21 prill si dhe 1 dhe 3 korrik.

Më 16 prill u shënuan 2 të vdekur sikurse edhe më 22 , 25 e 26 qershor .

Në total deri në pasditen e kësaj të diele në Kosovë ishin të regjistruar gjithsej 70 persona të vdekur të prekur me këtë virus nga gjithsej 3356 raste pozitive. Nga këto 1874 janë shëruar dhe janë edhe 1416 raste aktive.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.