Kosova

Diskutohet implementimi i monitorimit të sistemit prokurorial nga organizatat e shoqërisë civile

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovë, Bahri Hyseni, ka pritur në takim përfaqësuesen e Lëvizjes FOL, Nora Bajrami dhe atë të “Internews Kosova”-s, Kreshnik Gashi, të cilët pritet të implementojnë Projektin “Sektori i drejtësisë, i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent në Kosovë”.

Më këtë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka diskutuar me përfaqësuesit e këtyre organizatave për mundësitë e krijimit të qasjes sa më të lehtë të implementimit të këtij projekti në të ardhmen, me anë të të cilit do të bëhet monitorimi i veprimtarisë dhe aktiviteteve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Po ashtu, bashkëbiseduesit janë pajtuar që për ta lehtësuar zbatimin e tij mund të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi, i cili mundëson koordinim të plotë në kuadër të kompetencave përkatëse.

Ky projekt përkrahet nga Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit Amerikan. /Kosova.info/