Bota

Disa vende akoma nuk kanë siguruar asnjë vaksinë për COVID-19

Ndërsa kombet më të pasura kanë grumbulluar vaksina për qytetarët e tyre, shumë vende të varfra janë ende duke u përpjekur për të siguruar doza.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se gati një duzinë vende, shumë prej tyre në Afrikë, janë ende në pritje të vaksinave. Ato së bashku me Çadin janë Burkina Faso, Burundi, Eritrea dhe Tanzania, transmeton Klan Kosova.

Çadi pritet të marrë disa doza Pfizer muajin tjetër nëse mund të rregullojë ambientet e ftohta për ruajtje, të nevojshme për ta mbajtur vaksinën të sigurt në një vend ku temperaturat ngrihen çdo ditë në 43.5 gradë Celsius. Ky vend ka konfirmuar vetëm 170 vdekje që nga fillimi i pandemisë, por përpjekjet për të ndaluar virusin tërësisht këtu kanë qenë të pakapshme.

Në anën tjetër disa nga vendet e fundit që u pajisën me vaksina morën më shumë kohë për të përmbushur kërkesat, duke përfshirë nënshkrimin e heqjes së dëmshpërblimit me prodhuesit dhe krijimin e planeve të shpërndarjes.

Këto vonesa nënkuptojnë një pritje edhe më të gjatë për vendet si Burkina Faso, pasi një prodhues kryesor i vaksinave në Indi zvogëloi furnizimin e tij global për shkak të valës katastrofike të virusit atje.

Siç shkruan DW, në Haiti, asnjë vaksinë e vetme nuk është administruar për më shumë se 11 milion njerëz që jetojnë në vendin më të varfër të hemisferës perëndimore.

Haiti ishte planifikuar të merrte 756,000 doza të vaksinës AstraZeneca përmes COVAX, por zyrtarët qeveritarë thanë se ata nuk kishin infrastrukturën e nevojshme për t’i ruajtur. Zyrtarët haitianë gjithashtu shprehën shqetësime mbi efektet anësore të mundshme dhe thanë se preferonin një vaksinë me një dozë të vetme.

Në anën tjetër disa kombe të vogla ishullore në Paqësor gjithashtu nuk kanë marrë ende asnjë vaksinë. Megjithëse mungesa e shpërndarjes së lartë të virusit në disa prej tyre ka bërë që të ketë më pak urgjencë me fushatat e shpërndarjes.

Vanuatu, me një popullsi prej 300,000, po pret të marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca më vonë këtë muaj, por ajo ka regjistruar vetëm tre raste të koronavirusit, të gjithë të karantinuar.