Bota

Disa të vrarë nga sulmet e forcave qeveritare siriane kundër rebelëve

Punonjësit sirianë të emergjencës njoftuan, se të paktën tetë civilë janë vrarë nga bombardimet qeveritare në fortesën e fundit të rebelëve anti-qeveritar.

Ofensiva e së premtes përfshinte sulme ajrore në qytetin Idlib, tashmë shtëpi e një numri të madh njerëzish të zhvendosur nga ofensiva 10-javore e forcave qeveritare, në zonën e mbajtur nga rebelët.

Ekipet e shpëtimit të njohur si “Helmetat e Bardha” u futën në rrugicat e ngushta të ndërtesave të bombarduara, për të ndihmuar të plagosurit, dhe për të tërhequr trupat.

Zëdhënësi i këtij ekipi, Ahmed Sheikho, tha se sulmi në qytetin Idlib, i treti që nga fillimi i ofensivës në fund të prillit, vrau një dhe plagosi 12 persona.

Ai tha se në shënjestër ishin objektet që përdoreshin si strehimore për njerëzit e zhvendosur nga sulmet e mëparshme.

“Helmetat e Bardha” njoftuan se shtatë persona janë vrarë në pjesë tjera të enklavës. Vëzhguesit sirianë të të drejtave të njeriut, thanë se numri i viktimave është 13.

Konflikti në Siri, i cili filloi me një goditje qeveritare ndaj protestuesve në mars 2011, ka vrarë më shumë se 370,000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona.