Kombëtare

Disa këshilltarë komunalë pajtohen që bizneset në Prishtinë të mos punojnë të dielave

Derisa 2019-a kaloi me shumë mospajtime mes këshilltarëve komunalë të Prishtinës, ky vit ka filluar me aprovim të qëndrimeve mes tyre.

Kjo pas një propozimi të bërë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset e kryeqytetit.

Propozimi, edhe pse ende nuk është paraqitur në Kuvendin komunal, ka gjetur pëlqimin e disa prej këshilltarëve, derisa për këtë pritet diskutim i gjatë, raporton KTV.

Sami Boroci nga AKR-ja thotë se ky propozim duhet të jetë i matur, marrë parasysh se Prishtina është kryeqytet dhe qendër më e madhe se komunat e tjera. Në rast të mos përpilimit të saktë të planit, sipas tij, do të kishte pakënaqësi te bizneset afariste dhe vetë qytetarët.

Propozimin që e diela të jetë ditë pushimi për bizneset, e ka përkrahur edhe këshilltarja komunale nga radhët e AAK-së, Fiknete Bejta.

“Sipas rregullores për orarin e punës së ndërmarrjeve afariste në Komunën e Prishtinës, e cila është në diskutim, të dielave mund të punojnë barnatoret, qendrat e emergjencës, furrat e bukës dhe disa prej gastronomive me rend dhe orar të kufizuar. Pra, vetëm aktivitetet që kanë të bëjnë me kërkesat themelore dhe urgjente të qytetarëve. Ky orar i ri nxit respektimin e të drejtave të punonjësve të cilët edhe ashtu nuk gëzojnë paga meritore, duke zvogëluar kohën e gjatë të qëndrimit të tyre në punë si dhe është humane sepse këta njerëz meritojnë të kalojnë më shumë kohë me familjet e tyre”, ka thënë ajo.

Ndërkohë qytetarët ndajnë mendime të ndryshme sa i përket miratimit të një rregulloreje të tillë.

Një propozim të tillë, gjatë vitit të kaluar e miratoi komuna e Mitrovicës, derisa edhe komuna e Vushtrrisë pritet ta bëjë të njëjtën gjë në fillim të muajit të ardhshëm.