KULTURË

Diktaturat nuk i kemi lënë pas!

Nga: Kasëm Trebeshina (fragmente nga libri me ese e kujtime, “Dafinat e thara”)

E ndiej që nuk jam më, në asnjë vend…

Jeta është e vështirë!… Vdekja arrihet më me lehtësi!… Por, ne erdhëm në jetë!… Erdhëm me mundim dhe dhembje… Ndaj dhe duhet, patjetër, ta jetojmë sa më gjatë!… Dhe, sa më gjatë ne mund ta jetojmë duke u përpjekur që të gjitha veprimet tona të çojnë në ndërtime të arsyeshme dhe jo në shkatërrimin e Botës!

Që ne ta ndalim shkatërrimin e shpejtuar të Botës është e domosdoshme që të merremi vesh me njëri-tjetrin!… Marrëveshja është e vështirë, gjer në pamundësi… Dhe përsëri e përsëri, ajo duhet të arrihet!… Dhe me të gjithë!… Ndryshe, shkatërrimi do të jetë i paikshëm!…

Unë, tashti, jam në muzgun e jetës sime… Dhe e ndiej që nuk jam më në asnjë vend !… Të gjitha sa kisha për të thënë, kanë mbetur këtu… Më tej, do të kaloj atje ku nuk arrijnë as shpifjet dhe as gënjeshtrat! Ndofta ka mbetur këtu jehona e heshtjes së madhe… Dhe, “Përmbytja e madhe”!…

Po! Ndofta “përmbytja e madhe” nuk është hedhur në skenë!… E kam menduar dhe po e mendoj dramën e shtatëdhjetetetë!… Kushedi?! Mund dhe e shkruaj!… Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!… Ju mos e bëni të padurueshme, gjer në shkatërrim!…

Dhe mos harroni!… Diktaturat nuk i kemi lënë pas!… Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!… Mendohuni mirë… Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!… Lamtumirë!…

Leave a Reply

Your email address will not be published.