KosovaTema e Ditës

Dialogu, zgjedhjet e parakohshme dhe fati i Qeverisë Hoti

Në Kosovë zgjedhjet parakohshme janë bërë të zakonshme qysh se vendi është përpjekur të përshtatet në sistemin e ri: atë demokratik. Zgjedhjet e para janë mbajtur më 28 tetor të viti 2000 për kuvendet komunale, pastaj kanë pasuar të tjerat me radhë. Kjo pyetje mund të shtrohet edhe tash, është mjaft legjitime, ani që Qeveria Hoti numëron ditët e para të saj – shkruan Kosova.info

Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në demokraci, janë mbajtur 12 nëntor të vitit 2001. Siç e thamë, Kosova ka pasur shpesh zgjedhje parakohshme e asnjë qeveri nuk e ka çuar mandatin e saj deri në fund, ndonëse betohen për 4 vjet. Pra: 2001, 2004, 2007, 2010, 20014, 2017 dhe 2019, janë vitet kur Kosova u është nënshtruar këtyre proceseve, për shkak të rrëzimit të qeverive, prishjes së koalicioneve, përkatësisht zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

PDK dhe LDK kanë qenë pjesë e ekzekutivit, më së shumti, që nga paslufta, siç ka qëlluar të jetë edhe kësaj radhe nën udhëheqjen e Avdullah Hotit. Por a do t’ia dalë ajo, bashkë me partnerët e koalicionit, ta përfundojë një mandat të plotë në krye të qeverisë?

Politikologu Albinot Maloku për Kosova.info thotë se:

“Zhgënjimi i qytetarit është në pikun e tij dhe shkaktari i kësaj është̈ aparati politik i instaluar prej vitesh e në të cilin rol e pozicion ka Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit, e pati rastin e mirë për t’u shkëputur dhe për t’ia bërë prerjen kirurgjike së keqes që së pari ndodhet brenda vet asaj. Ajo nuk e shfrytëzoji. Përkundrazi, e keqpërdori atë mundësini!” – duke lënë të nënkuptohet se kjo gjë edhe mund t’i hakmerret.

Për ta çuar deri në fund vrojtimin e tij analisti Maloku shton se “tani kur Kosova është me Qeveri të rrugëve anësore, nuk është se ka prodhuar ndonjë gjë të re, por as nuk mund të pritet diçka më shumë nga ky konstalacion politik. Me bërjen e kësaj lloj qeverie demokracia në vendin tonë ka rrëshqitur shumë. Zgjedhjet do të ishin opcioni më i mirë dhe rekomandimi kryesor për të pasur një qeveri që buron nga vullneti qytetar, e jo qeveri të pazareve politike me qellim një përdorimësh. Se a mund të ndodhin zgjedhjet sivjet, kjo varet nga dy faktorë të tjerë politik: Nga “takati” i Partisë Demokratike të Kosovës për të ndryshuar veten duke mos u bërë instrument i presidentit Thaçi; si dhe natyrisht, nga pjekuria e partisë më të madhe aktualisht në vend – Lëvizja Vetëvendosje. Këtë pjekuri kjo duhet ta manifestojë veçmas në raport me partnerët e saj politik” – përfundon Maloku.

“Pas (vetë) rrëzimit të qeverisë më legjitime dhe më kredibile që ka pasur Kosova pas 17 shkurtit 2008, të qeverisë së shumicës shqiptare, qeverisja e vendit është kaluar tek qeveria e pakicës shqiptare, e cila, edhe pse me legjitimitet të Kuvendit të Kosovës, është në varësi të skajshme nga “Lista Srpska” dhe numrat vicioz (61)” – ka konstatuar analisti i njohur Florim Zeqa.

Zeqa ka vijuar duke thënë se “pa dashur të lëshohem në mënyrën e votimit të kësaj qeverie në Kuvend, se a ishte demokratike apo shkelje e rëndë ligjore “bindja” e një deputeti në minutat e fundit që ta votojë ‘Qeverinë Hoti’, fati i kësaj qeverie varet ngushtë nga numrat dhe disponimi i Listës Serbe në përbërjen e kësaj qeverie gjatë procesit të dialogut me Serbinë. Përveç faktorëve të mësipërm, përbërja heterogjene dhe dualizmi i veprimeve të liderëve të partive në koalicion, në çdo rast mund ta vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e kësaj qeverie. Bazuar në këto që ceka më sipër, nevoja për zgjedhje të parakohshme ekziston, por paraprakisht duhet të bëhen përgatitjet e duhura dhe ndryshimet në ligjin zgjedhor. Ndryshimin dhe plotësimi i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, që ndanë Kosovën në disa zona zgjedhore dhe nxjerrja e një ligji të veçantë për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejtë nga populli, i cili do të pamundësonte futjen në pazar të postit të presidentit gjatë marrëveshjeve të ardhshme për koalicione mes subjekteve politike, do t’u jepte kuptimin e plotë zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të prodhonin ndryshimin substancial dhe përmbajtjesor. Për më tepër se kaq, pa amandamentimin edhe një ligji tjetër, i cili ua mundëson bashkatdhetarëve që të votojnë në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës, zgjedhjet jo vetëm që nuk do të sjellin ndryshim, nuk do të kenë as kuptim.”

Për më tepër sipas tij: 

“Shkuarja e shpejtë në zgjedhje të parakohshme pa ndryshimet e sipër cekura ligjore dhe kushtetuese, jo vetëm që zgjedhjet nuk do të sjellin ndryshimin e duhur, do të shpenzohej së koti buxheti i shtetit dhe do të maltretoheshin qytetarët e vendit për asgjë. Edhe pse sfidë e madhe dhe e mundimshme për KQZ-në dhe ngarkesë për qytetarët, zgjedhjet e parakohshme, pra ato nacionale dhe presidenciale, do të ishin ideale në pranverën e vitit 2021. Ndryshe, për të qenë ndryshimi i plotë dhe substancial në vendin tonë, mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme (parlamentare, presidenciale dhe lokale) do të shënonte kthesën e madhe dhe të shumëpritur në Kosovë.”

Në opinionin publik kosovar qarkullojnë edhe interpretime të tipit se: gjithçka varet nga procesi i dialogut. Se kjo është çështja më sfiduese për këtë qeveri, e ka pranuar edhe vet kreu i ekzekutivit Avdullah Hoti, i cili këto ditë ka mbledhur gjithë energjinë për t’i bindur të gjitha subjektet politike rreth dialogut i cili pritet të vazhdojë në Uashington, nën monitorimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ai nuk ia ka dalë t’i bindë dy liderët e dy subjekteve opozitare politike, prandaj republikës sonë duket që do t’i mungojë një koncezus i gjerë për këtë çështje. Për shumë njohës politik, kjo do ta determinojë të ardhmen në krye të qeverisë të vet Hotit, e rrjedhimisht edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./Kosova.info/

Bekim D. Olluri

Shfaq më shumë