KULTURË

Dhurata e gjyshit për nipin

Izet ABDYLI  “ SIARI” (Vjersha për fëmijë), Botoi  Art Klub “Rifat Kukaj”,

Prishtinë 2020.

  Ajete  ZOGAJ

Libër i veçantë  dhe i këndshëm për lexim. Një befasi e bukur jo vetëm për Siarin (nipin e autorit të këtij libri), por edhe për lexuesin.

Vargjet e këtij libri, i ngjasojnë një buqete lulesh shumë ngjyrëshe me petale, të renditura me kujdes e dashuri…dashuri e gjyshit për nipin…dashuri e nipit për gjyshin…

      E kush mund ta realizojë më bukur këtë, se imagjinata e një shkrimtari, kush mund ta “qëndis” më bukur vargun poetik për nipin, se gjyshi poet?

Është  krijuesi nga Drenica, Izet Abdyli, që nipit të tij të dashur Siarit, në ditëlindjen e tij të pestë , t’i dhurojë këtë dhuratë të bukur, mbase dhuratën  më të bukur jetësore që mund ta ketë Siari në jetën e tij: Librin poetik “Siari”.

       Vargu poetik i gjyshit e përcjellë rritën e Siarit, që nga dita e bekuar e 3 shtatorit 2015,  kur ai erdhi në jetë.

“Nga sot familjes sonë

Iu shtua një anëtar

Me emrin  Siar

Na solli ngrohtësi

E dashuri” (fq. 7)

Siarin, autori e krahason me këngën e bilbilit e me aromën e trëndafilit, është freski e shpirtit, ëmbëlsirë. Dashuria e gjyshit (autorit) për nipin Siarin është e madhe, madje autori e krahason me ujin e detit:

 “ Shumë të dua nip

Sa ka ujë deti

Se ty të kam zemër

Ti je sherbeti” (fq,27).

Një urim simpatik i dërgon gjyshi nipit Siarit edhe nga Tirana:

“ Nipi im i dashur

Sot e ka ditëlindjen

Nga Tirana e bukur

Ia përcjell Urimet.

Sa mali i Dajtit

E sa ka ujë deti

Lumturi pa fund

Nga gjyshi Izeti!” (fq. 26).

Vargje si petale

  Në vargjet e këtij libri, autori nuk lë pa i kushtuar poezi edhe nipit të tij të dytë, Arjonit.

Janë vargje plotë dashuri prindërore, dashuri e gjyshit për nipërit.

“ Shumë i dua sikur xhan

Jetës sime i japin kuptim

Kur buzëqeshin si dy zogj

Shpirti im

Mbushet gëzim” (fq. 24).

 Se fëmijët janë gjallëria e jetës, gjallëria e  shtëpisë, e dëshmojnë më së miri vargjet e poezisë “ Kur qesh nipi im”

“ Kur qesh nipi im

O sa shumë gëzohem

Zemra më bëhet mal

Më duket se rinohem,

Kur qesh nipi im      

Sikur vjen pranvera

Lulet e beharit

Na çelin te dera.

……………………..

Kur qesh nipi im

Ndihem gjysh i ri

Përqafimi i tij

Më mbush dashuri! (fq. 41).

    Muzikaliteti i vargut

Vargu i kësaj përmbledhje poetike, ka muzikalitet, ka gjallëri. Rima e përpunuar me kujdes i jep ngjyrim vargut, e bën melodik, “pentagram me nota muzikore” në të cilat  sikur ‘cicëron’ zëri i ëmbël i vogëlushit Siarit, duke lexuar vargjet e gjyshit në ditëlindjen  e tij të pestë, të shoqëruara edhe me fotografi artistike. Kjo i jep një ‘dimension’ të ri librit, një fotoalbum i bukur poetik.

Autori ka përdorur një gjuhë të pasur e të pastër , kurse figurat stilistike, si: krahasimi e metafora, e bëjnë librit gjallërik, i japin ‘ jetë  e gjallëri’ vargut… Mbase, vet krijimtaria për fëmijë, është e mbushur jetë e gjallëri, sepse vetë fëmijët janë gjallëria dhe bukuria e jetës.

Siarit i dëshirojmë jetë të gjatë e të lumtur… Shumë fëmijë do t’ia kenë lakmi këtë dhuratë…Por sikur nga brendia e vargut ‘ lexojmë’ dëshirën e autorit:  Ky libër nuk është vetëm dhurata e Siarit, është dhurata e të gjithë fëmijëve…

Është një gur margaritar në kështjellën e bukur të letërsisë sonë për fëmijë!

Prishtinë, 12.10. 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.