Bota

Dhjetëra të plagosur në protestat kundër kampeve për migrantët në Greqi

Mbi 60 vetë u plagosën – shumica e tyre policë – në përleshjet me protestuesit në ishujt grekë, Lesbos dhe Kios, të cilët kundërshtojnë planet për ndërtimin e kampeve të reja për migrantët.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, bëri thirrje për qetësi, ndërsa do të takojë autoritetet lokale për të diskutuar rreth krizës.

Autoritetet në Athinë u zotuan se do të ndërtojnë qendra të reja për migrantët në Lesbos, Samos, Kios, Leros dhe Kos.

Të pesë ishujt shtrihen në brigjet e Turqisë, nga ku mijëra migrantë nga Lindja e Mesme, tash e sa vite, nisen drejt Evropës.

Banorët lokalë të ishujve kundërshtojnë ndërtimin e qendrave të reja për migrantë.

Pas disa javësh bisedime midis qeverisë dhe banorëve lokalë, qeveria ka dërguar fshehurazi makineri të ndërtimit dhe qindra policë në Lesbos dhe Kios.

Protestat kanë shpërthyer qysh të martën.

Në ishujt grekë aktualisht ndodhen mbi 42,000 migrantë.

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, ka kërkuar së voni nga Greqia që t’iu japë fund kushteve “tronditëse dhe të turpshme” në kampe.