Kombëtare

Dhjetëfishohet numri i familjeve nevojtare për ndihma në Pejë

Situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit është duke rënduar jetën për ditë e më shumë qindra familjeve në gjithë territorin e komunës së Pejë.

Numri i pragjeve të shtëpive që po u lihet nga një thes miell dhe qese të mbushura me artikuj të tjerë ushqimor, në forma të ndihmave, po shtohen gjithnjë e më tepër. Në mesin e këtyre familjeve që tash po zgjasin dorën për t’u ndihmuar, ka të tilla që më herët nuk kanë qenë në këtë gjendje.

Megjithëse faji nuk është i tyre, pasi disa prej anëtarëve nuk janë duke punuar më tepër se një muaj dhe ju mungojnë të ardhurat, atyre ju vije vështirë dhe mbase edhe turp që të flasin hapur për situatën e krijuar në shtëpitë e tyre.

“Që vjen puna një ditë me kërkua ndihmë prej dikujt tjetër, nuk e kam menduar kurrë… qenka rëndë shumë”, flet në kushte anonimiteti kryefamiljari i një familje pesë anëtarësh në një lagje të Pejës për KOHËN.

Shtimi i këtyre rasteve ka ndikuar edhe në dhjetëfishimin e numrit të familjeve nevojtare për ndihma, krahasuar me numrin që kishte deri para një muaji Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

“Jemi duke e përpiluar listën. Përveç atyre familjeve që i kemi në listë, ka edhe familje tjera që janë duke e rritur numrin në atë listë, sepse kërkesat për ndihmë janë rritur. Numri ju ka afruar një mijë familjeve që kanë nevojë për ndihmë. E kemi pas listën me rreth 100 familje skamnore deri para shfaqjes së kësaj situate me pandemi të koronavirusit”, thotë drejtori i kësaj Drejtorie, Petrit Loci.

Gjitha këto familje nevojtare, Komuna pretendon t’i ndihmojë me 100 mijë euro, të cilat i ka ndarë komuna dhe Kuvendi Komunal i ka miratuar javën e kaluar, që të barten prej një projekti të planifikuar për sivjet në buxhetin emergjent për menaxhimin e situatës së rëndë të krijuar sociale.

“Kanë qenë të planifikuara 200 mijë euro për projektin e ndërtimit të shtegut të ecjes prej Patrikanës deri në Grykë të Rugovës dhe prej kësaj shume do të hiqen 100 mijë euro dhe ato të transferohen në kodin për mallra dhe shërbime, që pastaj të nisin procedurat për të blerë artikujt e domosdoshëm për familjet ne nevojë, në vlerë financiare prej 100 mijë euro”, thotë drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj. Sipas tij, komplet shuma prej 100 mijë eurove do të kontraktohet me operatore procedurë të negocimit, e jo me procedurë publike të tenderimit. “Ligji ju ka lejuar komunave që me negocim me i kontaktuar operatorët. Por edhe me rastin e shpalljes së situatës emergjente, njësia qendrore e Prokurimit Publik, ju ka dërgua një shkresë komunave që ta shfrytëzojnë këtë mundësi ligjore për kontraktim me procedurë të negocimit, pasi është situata emergjente”, thotë Abazaj.

Menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Pejë, Xhemë Berisha, pohoi se me procedurë të rregullt tenderuese do të zgjaste shumë kohë dhe nuk do të mbërrihej të siguroheshin ndihmat tash në këtë situatë kur është nevoja. Për dallim nga procedurat e rregullta tenderuese me njoftim publik për kontratë, procedura me negocim zhvillohet pa njoftim publik dhe Komuna i drejtohet së paku tri kompanive dhe me ato negocion çmimin për shërbimin apo furnizim e nevojshëm dhe ajo që ofron çmimin më të ulët kontraktohet nga komuna. Këto procedura të kontraktimit me negocim pritet të kryhen deri ka mesi i javës tjetër dhe pas kontraktimit të operatorit, Komuna ka planifikuar që këto ndihma nuk do t’i shpërndajë brenda një dite, por siç tregon drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, kohë pas kohe gjatë kësaj periudhe emergjente sipas nevojës që paraqitet për familjet nevojtare.

“Varësisht prej nevojës, operatori i kontraktuar do të na furnizojë me pakot ushqimore e higjienike”, tha Loci.

Ditët e fundit janë shpërndarë ndihma të shumta nga donatorë të ndryshëm, por siç pohon Kujtim Halili nga shoqata humanitare “Gjurmët e Pejës”, disa familje kanë marr ndihma disa herë e disa familje nuk kanë marrë fare.

“Numri i familjeve në nevojë për ndihmë vërtet është duke u rritur shumë. Ndihmat duhet të ju ndahen të gjitha familjeve që kanë nevojë. Jo disa familje me marr nga disa herë ndihma prej secilit donator që dhuron ndihma, e disa familjeve nuk ju kanë dhënë asnjë pako ushqimore. Komuna duhet ta ketë kujdes këtë punë kur të shpërndajë ndihmat që ka planifikuar. Pra duhet të ketë kujdes tu shpërndajë së pari familjeve që nuk kanë marr deri tash ndihma e pastaj serish të gjithave me rend cila ka nevojë prapë. Dhe të i shpërndahen ndihmat familjeve që vërtet kanë nevojë për ndihma”, thotë Halili, sipas të cilit Komuna ishte dashtë të i kontaktojë të gjitha shoqatat humanitare që po shpërndajnë ndihma në Pejë dhe ti merr listat prej tyre, për të pas një pasqyre se cilat familje kanë marr ndihma e cilat jo.

Mirëpo drejtori për Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci, thotë se komuna nuk ka nevojë për listat e shqitave humanitare. “Kryqi i Kuq në Pejë është organizata më e thirrur për shpërndarjen e ndihmave dhe prej tyre do të marrim listat dhe t’i bëjmë krahasimet. Këto shoqatat tjera humanitare mund ndihmojë 10 apo 20 familje dhe në përgjithësi nuk qojnë peshë shumë në listat tona. Kështu që ne vetëm në Kryqin e Kuq bazohemi”, tha Loci.

Loci siguroi se pasi të përpilohet lista me emrat e familjeve nevojtare, ekipi i komunës do të del në terren dhe do ta vlerësojë bazuar në disa kritere, gjendjen se a ka secila familje nevojë për ndihmë që ka kërkuar. “Do ta kemi parasysh që të mos përfitojnë familjet që nuk kanë nevojë për ndihma, por vetëm ato që vërtet i kanë punët shumë ngushtë”, tha Loci. Ndërkohë edhe në Kryqin e Kuq të Pejës është rritur zëri për ndihmë edhe i familjeve që më herët nuk i kanë pasur në lista. Për dallim nga listat e komunës dhe shoqatave humanitare, Kryqi i Kuq zakonisht ka më tepër familje në lista për ndihma dhe ato shtohen edhe nga numri i familjeve që humbin asistencën sociale pasi ju rritën fëmijët. “Aktualisht kemi në listën e Kryqit të Kuq në Pejë mbi 500 familje skamnore. Prej tyre janë 200 familje në kategorinë e parë dhe tjerat janë në kategorinë e dytë. Për të gjitha ndihmat prioritet kanë 200 familjet e kategorisë së parë. Këto 200 familje janë raste të rënda sociale që kanë edhe të sëmurë në shtëpi dhe janë nevojtare të ndihmohen çdo muaj. Deri tash kemi shpërndarë ndihma këtyre 200 familjeve dhe kanë mbetur edhe 300 tjerat pa marr ndihma nga Kryqi i Kuq që i kemi në listë. Ndërkohë janë paraqitur edhe 100 familje tjera për ndihmë”, thotë Agron Kelmendi, sekretar i Kryqit të Kuq në Pejë.

Ai e sheh të domosdoshme që pavarësisht nevojave të shtuara për ndihmë, të mbahet ushqim rezervë për së paku 100 familje, në raste se ndonjë vendbanim futet në karantinë për shkak të koronavirusit.

“Duhet ta kemi këtë rezervë me shqim për të ndihmuar pastaj me ushqime familjet e garantuara, të cilat nuk do të kenë mundësi të dalin prej kantine për të blerë ushqim”, e sheh Kelmendi të nevojshme këtë rezervë të ushqimit.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483