Dhanë para për një vrasje të rëndë, Prokuroria jep detaje për arrestimin e dy të dyshuarve në Pejë

Të enjten u raportua se dy persona janë arrestuar në Pejë nën dyshimin se kishin planifikuar vrasjen e një personi me pagesë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi për Klan Kosova dha detajet e tjera rreth rastit.

Ai tha se të dyshuarit fillimisht ishin ndaluar për 48 orë, pastaj janë arrestuar dhe se sot është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“Fillimisht është pranuar informata që mund të kryhet një vrasje e rëndë dhe njëkohësisht janë mobilizuar Policia e Kosovës dhe prokurori i krimeve të rënda, ku pas një pune intensive janë identifikuar dhe arrestuar dy persona. Gjatë grumbullimit të provave, është rikualifiku kjo vepër penale ku kemi ardhur në përfundim që ka pasur të kryhet vepra penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm në dëm të një personi” dhe për këtë çështje dy personat janë arrestuar dhe prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit” – tha Nikçi.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, njëri i dyshuar në tetor-nëntor 2023 i kishte dhënë të dyshuarit tjetër para të kryente vrasjen e një burri.

“Pejë Tetor-Nëntor 2023 – Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi në muajin tetor – nëntor të vitit 2023, njëri i dyshuar i kishte dhënë para të dyshuarit tjetër në mënyrë që ta kryente vrasjen e viktimës mashkull kosovar, ose t’i shkaktonte dëme të mëdha”, thuhet në raportin e policisë. 

Go to TOP