Kronika e zezë

Një i vrarë dhe një i plagosur në Gradicë të Drenasit

Një vrasje ka ndodhur në mbrëmjen e kësaj së hënë në fshatin Gradicë të Drenasit.

Një person ka mbetur i vrarë pas të shtënave me armë zjarri, kurse një tjetër ka mbetur i plagosur, njofton KlanKosova.tv.

Këtë e ka konfirmuar për KlanKosova.tv, Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 20:30 policia ka pranuar informatën për një vrasje në fshatin Gradicë të Drenasit. Menjëherë pas marrjes së informatës të gjitha njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në të dhënat e deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe plagosjes me armë zjarri, të ndodhur në një pyll në fshatin e sipërshënuar”, është shprehur Ahmeti.

“Në këtë rast plagë nga arma e zjarrit kanë marrë dy persona (meshkuj). Njëri nga personat e plagosur nuk ka përballuar plagët dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF Drenas, ndërsa i plagosuri i dytë, është dërguar për trajtim mjekësor”.