Kosova

Detaje nga tryeza e punës e Komisionit për Integrime Evropiane

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, kanë mbajtur sot tryezë pune, në të cilën është biseduar lidhur me Metodologjinë e re të Zgjerimit të BE-së, të prezantuar nga Komisioni Evropian, përcjell Kosova.info

Takimi është kryesuar nga kryetari i komisionit, Armend Zemaj, i cili fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë debat, ndërkaq, i siguroi ata se komisioni që ai udhëheq, do të punojë me përkushtim në përmbushjen e kritereve  që dalin nga procesi i integrimit në BE.

Lidhur me temën, Zemaj vlerësoi se përmbushja e marrëveshjes së MSA-së, si dhe plotësimi i  kritereve për anëtarësim, Kosovën e bëjnë më të zhvilluar, më demokratike dhe më evropiane.

Për implementimin dhe mbikëqyrjen e reformave në kuadër të metodologjisë së re të zgjerimit, foli ministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Blerim Reka.

Ai konstatoi se pengesë kryesore në procesin e integrimeve në BE është shfaqur ngecja në sundimin e ligjit. Sipas tij, kjo fushë është ndër çështjet kryesore me të cilat duhet të merret Qeveria e re.

Duke iu referuar angazhimit dhe detyrave që kërkohen nga dikasteri që ai drejton, ministri Reka tha se në përmbushjen e detyrimeve për integrim në BE, do të udhëhiqen nga dy parime: llogaridhënia dhe transparenca, si dhe përfshirja e të gjithë faktorëve relevantë në këtë proces.

Se çka përmban metodologjia e re e zgjerimit, çka ndryshon nga metodologjia aktuale dhe cilat janë implikimet për Kosovën dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, sqaroi, Gjeraqina Tuhina, eksperte e GIZ-it.

Ajo, sikurse parafolësit, bëri të ditur se metodologjia e re e vlerësimit të përmbushjes së standardeve, parasheh që ndër çështjet kryesore në këtë proces vazhdon të mbetet sundimi ligjit. Për më tepër, Tuhina bëri të ditur se, edhe në rast se një shtet pretendent për anëtarësim në BE, ka avancuar në ndonjë fushë tjetër, por që ka shënuar regres në sundimin e ligjit, në atë rast i gjithë procesi mund të kthehet në pikën zero.

Ajo foli edhe për mundësinë e liberalizimit të vizave për vendin tonë, gjë që sipas saj mund të ndodhë gjatë këtij viti. Ndërkaq, lidhur me procesin dhe standardet e reja të vlerësimit për përmbushjen e kritereve për anëtarësim, Tuhina, në fund të paraqitjes së saj vlerësoi se procesi dhe metodat e reja të vlerësimit, teknikisht edhe mund të jenë më sfiduese, por më të qëndrueshme politikisht.

Udhëheqës i projektit të GIZ-it, Mark Barrett, vuri në pah rëndësinë dhe rolin e Komisionit për Integrime, përkatësisht angazhimit të tij në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

Për procesin e integrimit evropian, Barett vlerësoi se nuk është vetëm sa për ta përmbushur politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, aq sa është për të zhvilluar dhe ngritur mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, ky komision do të shërbejë si premisë informimi për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën.

Në fund të takimit, kryetari Zemaj edhe një herë i siguroi të pranishmit se Komisioni për Integrime, në fokus të angazhimeve të tij do të ketë mbikëqyrjen e përmbushjes së kritereve  për anëtarësim në BE./Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.