Kosova

DETAJE/ Ja si u planifikua vizita e Kurtit, Abazit dhe Sfeçlës në dhomën e përgjimeve

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka folur për deklaratat e Presidentit të vendit, i cili mbrëmë gjatë një debati televiziv tha se Kryeministri në detyrë Kurti, Zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë hyrë jashtëligjshëm në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.

Isrefi për Front Online tha se kjo dhomë e posaçme në Telekom ekziston, por askush nuk ka drejtë të hyjë në të, përveç Prokurorit të Shtetit.

“Ekziston një dhomë e posaçme sipas kushteve ligjore që përcaktohen çdo operatorë i telefonisë mobile duhet ta ketë atë dhomë që futet një softuer që e suporton policinë, AKI-në, organet e  drejtësisë në vend”, tha ai.

Ai tha se vizita e Kryeministrit në detyrë s’bashku me vartësit e tij në Telekom ka ndodhur pas shkarkimit të tij nga posti i Kryeshefit.

Istefi tha se shkarkimi i tij nga Bordi i ri i kësaj ndërmarrje është bërë me shkas në mënyrë që në Telekom të hyjnë njerëz pa procedura ligjore.

“Fatkeqësisht Kryeministri, ministri i Brendshëm në detyrë, kanë ardhur në Telekom pasi që jam shkarkuar unë dhe jo rastësisht ka ndodhur edhe shkarkimi  si pasojë në mënyrë që të vendoset dikush që i bindet urdhrave politikë, që të hyjnë dhe dalin pa asnjë procedurë ligjore. Në atë dhomë me përjashtim të Kryeprokurorit të Shtetit, as zyrtarë e as unë si Kryeshef nuk e a kam vizituar atë dhomë, as Kryeministri e as ndonjë ministër nuk ka të drejtë të futet në dhomën ku është serveri që i suporton organet e rendit, shkelësit e ligjit që të përgjohen”, tha Istrefi.

I pyetur se a ekzistojnë fakte nga kamerat e sigurisë së Kryeministri ka hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekom, Istrefi tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi që, siç tha ai, atë ditë nuk kanë funksionuar ato.

“Po atë ditë që kanë qenë në vizitë, kamerat kanë qenë jashtë funksionit, kjo le të kuptohet se është keqpërdorë pozita e njerëzve të caktuar që janë në institucione dhe jashtëligjshëm janë futur që të marrin informacione të cilat janë të rëndësishme”, u shpreh Istrefi.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që sa më parë të fillojnë punën për ta vërtetuar nëse një gjë e tillë është e vërtetë dhe shkelësit e ligjit të dalin para drejtësisë.

“Prokuroria duhet sa ma parë ta kryen  punën e vetë që ta vërtetojnë saktësinë se a kanë hyrë dhe a kanë marrë ndonjë shënim nëse kanë marrë ose nëse vetëm janë futë në atë dhomë që është e jashtëligjshme kushdo që është, duhet të përgjigjet para ligjit”, tha Istrefi.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot gjatë një konference për medie, akuzat e Presidentit lidhur me dhomën e përgjimeve i quajti gënjeshtra.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.