Kosova

Dëshmitari: Ja se si Zoran Gjokiq dhe ushtarë të tjerë duke gjuajtur me kallash bërtitnin “shqiptari, shqiptari, krejtve duhet me ju vra

Dëshmitari Agim Nikqi ka treguar se si i akuzuari për krime lufte, Zoran Gjokiq dhe disa ushtarë të tjerë të forcave serbe, të armatosur dhe duke i kërcënuar, i kishin detyruar që të lëshojnë pronat e tyre dhe të dalin për në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Gjokiq po akuzohet se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të veshur me uniforma policore kishin shkaktuar vuajte të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitja e një qyteti ose vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Agim Nikqi, i cili ishte propozuar nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kujtim Kërveshi, duke u përgjigjur në pyetjet e tij, ka treguar se në vitet e 90-ta kishte banuar bashkë me familje afër stacionit të autobusëve në Pejë, në bashkësinë lokale “Rrokaqielli”, e se kishte qenë aktivist i institucioneve paralele të Kosovës.

Në pyetjen e avokatit Kerveshi se kur ishin larguar nga qyteti i Pejës, dëshmitari ka thënë se me 28 mars 1999 ishin larguar me dhunë nga forcat serbe.

Ai tregoi se për herë të parë i akuzuari kishte ardhur në lagjen e tij, së bashku me disa ushtarë të tjerë, për të kërkuar një person me emrin “Luan”.

“Me 28 mars jemi larguar me dhunë, kanë ardhur në mëngjesin e hershem, diku 3-4 veta, ky ktu (duke iu referuar të akuzuarit), vet i katërti, ka ardhur i pandehuri edhe e kanë kërkuar një person me emër, ku o, ku o, ku o, tu bërtit, fati i tij është larguar pasi është frigu, u largu me familje, ai ka pasur do automjete. Ato ditë Peja ka qenë katrahurë, aty ska pasur kontrolle, ka qenë rrezik për jetë, kanë ardhur me dhjetëra njerëz, ske dit kush vjen aty, unë e kam parë të pandehurin, kanë bërtit e kanë lyp Luanin (mbiemrin e të cilit për shkaqe sigurie nuk e përmendi), e di që kanë thy dyert e tij, e kanë marrë ni kerr”, ka thënë dëshmitari

Ai tha se pasi ishin larguar forcat serbe ishte shfaqur pasiguri tek njerëzit, pasi dy ditë para kësaj ngjarje ishin larguar serbet dhe malazezët që kishin jetuar në atë pjesë të Pejës dhe njeri prej tyre, sipas dëshmitarit, e kishte vendosur edhe flamurin e Serbisë.

“Pas orës 12:00 të njëjtën ditë me 28 mars 1999, ka ardhur prapë i pandehuri vet i katërti, ka ardhur me ta edhe një taksist dhe një person i katërt, kanë ardhur me armë, me kallash, me jakne kamuflazhi- ushtarake, kanë kërcënuar në ajër me kallash na kanë dhënë afat 5 minuta, duke na thënë dilni të gjithë jashtë, 5 minuta keni afat. Unë kam pasur vajzën e vogël, te furra dhe rrethi i OSBE-së na kanë nda, dikush për Shqipëri, po ne kemi shkuar për Mal të Zi. Pleqtë dhunshëm i kanë quar për Shqipëri, i kanë ndalë atë natë në qendër të qytetit, i kanë lënë në sallë të sportit, të nesërmen i kanë larguar për Mal të Zi, do i kanë qu për Shqipni, deri në Llozhajë”, ka thënë dëshmitari.

Në pyetjen e avokatit Kerveshi se sa larg kishte qenë i akuzuari Gjokiq kur e kishte parë tek shtëpia e komshiut të tij Luanit, dëshmitari ka thënë se për herë të parë e kishte parë diku 20 metra larg, ndërsa për herë të dytë kur edhe i kishin dëbuar tha se e kishte parë edhe më afër.

“Të parën herë e kam pasur larg 20 metra, ndërsa të dytën herë më afër, se të dytën here jemi afruar më afër dhe kanë gjuajt me kallash, edhe kanë lyp mu largu tu shajt e tu bërtit me fjalë banale, ka qenë kohë lufte, “shqiptari, shqiptari, krejtve duhet me ju vra, shkoni për Shqipni””, ka deklaruar dëshmitari.

Ai tha se të akuzuarin Gjokiq e njeh që nga vitet e 90-ta, pasi sipas tij, kur kishte qenë aktivist ku në krye të tyre kishte qenë Agim Sheremeti,  kishin mbajtur shënime për atë pjesë të Pejës dhe se për shkak se kishin shpërndarë edhe ndihma, ai tha se e kishte ditur për secilin banor të “Rrokaqiellit” se ku banon, duke shtuar se e kishin ditur se në cilin kat banonin shqiptarët e në cilën serbo-malazezet.

Sipas tij, i akuzuari Gjokiq kishte banuar në katin e nëntë, për të cilin kat tha se kishin qenë të gjithë serb dhe malazez, ndërsa tha se të njëjtin e kishin thirrur me nofkën “Zoki”.

Në pyetjen tjetër të avokatit Kërveshi se a ishte i sigurt dëshmitari se në ditën e 28 marsit 1999 e kishte parë të akuzuarin, dëshmitari ka deklaruar “jam i sigurt 1 milion herë”.

Dëshmitari tha se në qytetin e Pejës ishte kthyer me 26 qershor 1999, pas përfundimit të luftës, dhe sipas tij, kur ishin kthyer kishin qenë KFOR-i, ndërsa për UNMIK-un tha se nuk i kujtohej.

Në pyetjen e mbrojtësit së të akuzuarit Gjokiq, avokatit Ljubomir Pantoviq se kur ishin kthyer në Pejë pas përfundimit të luftës a e kishte paraqitur rastin te Policia e UNMIK-ut, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohej se a ishte lajmëruar rasti në UNMIK, por sipas tij ai së bashku me aktivistët e tjerë kishin raportuar në Policinë e Kosovës për të gjitha dhe se sipas tij, ekzistonin edhe shënimet për kriminelët e luftës, ku ndër ta bënte pjesë edhe i akuzuari Gjokiq.

“Kanë qenë të shënuar krejt rastet, paramilitarët, kriminelët e luftës dhe ndër ta është edhe i pandehuri, po ashtu kanë qenë të evidentuara edhe shtëpitë e kallura, 11 shtëpi prej 33 janë djegur në lagjen time, janë shumë kriminel të lagjes tonë që kanë marrë pjesë. Ne si lagje e kemi paraqitur rastin jo në UNMIK por sa e di unë në policinë e Kosovës, unë kam qenë aktivist i asaj bashkësie territoriale ju kem paraqit policisë tonë, por se si janë ruajt evidencat unë nuk e di”, ka thënë dëshmitari.

Në pyetjen tjetër të avokatit Pantoviq se a e kishte komentuar dëshmitari arrestimin e Gjokiqit në rrjete sociale, dëshmitari ka thënë se përpos që i kishte thënë “kriminel”, nuk kishte komunikuar diçka tjetër.

Avokati Pantoviq e pyeti dëshmitarin se pse nuk e keni raportuar rastin diku tjetër por vetëm në Policinë e Kosovës, dëshmitari është përgjigjur se kishte kontaktuar me përfaqësuesin e palës së dëmtuar, avokatin Kujtim Kërveshi në nëntor 2019 dhe ishte paraqitur si dëshmitar në këtë rast.

Por pasi avokati Pantoviq e pyeti dëshmitarin se e kujt kishte qenë iniciativa për tu takuar, ka pasur kundërshtime nga avokati Kërveshi, pasi sipas tij këso lloj pyetje nuk mund të lejohen dhe sipas tij, nëse avokati kishte ndonjë vërejtje për rolin e tij apo nëse nuk mund të mbrojë të akuzuarin, e kishte një institucion para Odës së Avokatëve.

Por trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Arben Hoti e ka lejuar këtë pyetje, duke e udhëzuar dëshmitarin që nëse nuk dëshiron ka të drejtë të mos përgjigjet në këtë pyetje.

“Unë nuk kam përgjigje në këtë pyetje pasi konsideroj se lidhur me këtë u përgjigj Z.Kerveshi”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, përmes mediave kishte dëgjuar për arrestimin e Gjokiqit dhe në momentin e arrestimit ai tha se e kishte kuptuar se kush kishte qenë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se të akuzuarit Gjokiq ia kishte njohur edhe familjen e tij, me të cilën tha se kishte jetuar i akuzuari në banesë, ndërsa tha se ishte në dijeni se i njëjti kishte pasur dy motra, por nuk kishte pasur vëlla.

Në pyetjen e gjykatësit Arben Hoti se a e dinte dëshmitari se çfarë kishte punuar i akuzuari Gjokiq, dëshmitari ka thënë se kishte punuar si kamerier në një lokal në Pejë.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 24 gusht 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2019, i pandehuri Zoran Gjokiq, akuzohet se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake ka shkaktuar vuajte të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitja e një qyteti ose vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që duke bashkëvepruar me personat deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen e lartcekur dhe kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, ashtu që me të arritur te shtëpia e Hilmi Zeqiraj, tanimë i ndjerë, i pandehuri me personat e paidentifikuar kishin hyrë dhunshëm në shtëpi e tani të ndjerit dhe derisa i njëjti  kishte qenë në shtëpi, së bashku me familjen e tij dhe vëllait të tij, Skenderit, tani i ndjerë, dhe me familjen e të dëmtuarit Shaban Kaliqani, serbët kishin detyruar familjarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Akti akuzues thotë se fillimisht e kishin rrahur të dëmtuarin Kaliqani, pastaj i kishin maltretuar tani të ndjerët e lartcekur, i kanë plaçkitur, detyruar t’ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre, duke ia marrë arin e familjes, pastaj në oborrin e kësaj shtëpie fillimisht e rrahin përsëri të dëmtuarin Kaliqani, në atë mënyrë që e godasin në fytyrë dhe ia thyejnë dhëmbët. Ndërsa, thuhet se të dëmtuarin Skender e detyrojnë të shkojë për të siguruar të holla, e në ndërkohë e vrasin Hilmi Zeqiraj dhe me të arritur Skender Zeqiraj e sheh vëllain e vrarë, në gjendje të keqe, fillon të bërtas dhe detyrohet t’ua dorëzojë 1000 marka dhe më pas i detyrojnë të largohen nga shtëpia ku ishin.

Pasi dalin jashtë shtëpisë, sipas aktit akuzues, Skenderi e Shabani takojnë Bashkim Berishën, tanimë i ndjerë, të cilin paramilitarët serb e kishin detyruar të largohet nga shtëpia, me të arritur te dera e Asllan Mulës, përafërsisht 70 metra nga ku u vra Hilmiu, i kanë ndarë nga kolona e qytetarëve shqiptarë të cilët i kishin larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Tutje, thuhet se i pandehuri Zoran Gjokiq, i ka ndaluar që të tretë, Skenderin, Bashkimin e Shabanin, duke i detyruar të kthehen me fytyre nga ai, me tu afruar që të tretë një metër përpara tij, iu kishte drejtuar  Skenderit e Bashkimi “ju dy hyni brenda” në oborrin e Asllan Mulës.

Sipas aktakuzës, Skenderin e Bashkimin i kishte futur brenda në oborr 4 -5 metra, pastaj me kallashnikovë ka gjuajtur në drejtim të tyre, duke i lënë të dytë të vdekur. Në aktakuzë thuhet se ai i është drejtuar Shabanit me fjalët “ngaj çka po pret”, e atëherë i dëmtuari Shaban duke vepruar sipas urdhrit të pandehurit arrin të largohet, rrugës takon Riza Mamaj, tanimë i ndjerë, i cili ishte me një karrocë në dorë, të cilën paramilitarët e pyesin se ku ishte nisur, derisa i njëjti u tregon, vazhdon rrugën me karrocë për në shtëpinë e kushëririt, të njëjtin e gjuan me armë në gjoks dhe rrëzohet mbi karrocë dhe vdes, pastaj Shabani vazhdon rrugën dhe vendoset fillimisht në shtëpinë e babait të tij për tu larguar të nesërmen për në Mal të Zi. Me këtë, i akuzuari pretendohet se ka kryer veprat penale, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, që ndiqet sipas nenit 152, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës dhe nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, që ndiqen sipas nenit 153, paragrafi 1, nën paragrafët, 2.1,2.2,2.5,2.8,2.13 dhe 2.15 dhe nenit 3 të KPK-së.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483