Kosova

Dëshmi tronditëse: Katër ushtarë serbë më rrahën dhe përdhunuan në sy të prindërve

Nënë e katër fëmijëve, sot 57 vjeçe, ajo është një nga viktimat e dhunës seksuale të Kosovës. Për të mos e identifikuar, ne do t’i vendosim pseudonimin Teuta.

Për shumë vite me radhë ajo e ka pasur të pamundur që të diskutojë, apo të ndaj me dikë brengën që i rëndon në shpirt. Top Story sjellë një rrëfim të gruas që mundi të mbijetojë pas përdhunimeve brutale, nga katër ushtarë serb.

“Unë kam qenë me dy prindërit, jam fëmijë i vetëm dhe nuk kam as motër as vëlla. Dy prindërit i kam pasur pleq. Serbët na kanë thyer xhamat dhe kanë hyrë brenda dhe drejtë kanë shkuar te babai im. Ai ka pasur një kapuç të bardhë , ja kanë hequr e kanë gjuajtur, e kanë rrahur shumë. Ka pasur edhe një xhaketë veshur, ja kanë hequr i kanë marrë një leje që ka pasur dhe ja kanë grisur, shumë e kanë rrahur tre vetë. Edhe nënës time po ashtu, ia kanë marrë lejen ia kanë bërë me vijë. I kanë thënë ti s’ke për të marrë pension prej Sllobodanit. Unë kam ndërhyrë mes dy prindërve, më kanë lënë shakull aty ku kam qenë . Më kanë rrahur shumë, njëri më ka dhunuar në sy të dy prindërve, dy të tjerët kanë bërë çfarë kanë dashur me mua. Më kanë grisur rrobat si fillim , më kanë rrahur, më kanë përgjakur . Kam luftuar por s’kam mundur se ata ishin tre burra”, rrëfen gruaja.

Në shtëpi në sy të prindërve të moshuar, vajzën e përdhunoi vetëm njëri prej tyre, më pas e morën dhe e përdhunuan gjithë të tjerët me radhë duke e rrahur e në fund e kanë hedhur të zhveshur në rrugë.

“Më kanë lënë shakull, ashtu të zhveshur krejt, më kanë rrahur, më kanë sakatuar. Më thoshin hajde të të marrim të të çojmë të Qafa e Dules, të të shohin vëllezërit e tu dhe në sy të vëllezërve të tu kemi për të të bërë kështu si ta bëmë në sy të nënës e babës. Kemi për të t’i prerë veshkat e zemrën do t’ja çojmë Sllobodanit për të ti matur se sa kilogramë i ke. Më kanë përplasur në një mur aty afër mëhallës dhe kanë ikur. Unë i kam ndjekur nga pas, u kam thënë më vrisni, më mbysni se nuk jam unë më në gjendje që të jetoj. Unë i kam ndjekur, ata kanë gjuajtur por për fat s’më ka kapur arma, por unë i kam ndjekur nga pas””, rrëfen gruaja.

Nga rruga e ka marrë një fqinj, i cili e ka mbuluar vetëm me një batanije dhe e ka lënë në banjën e shtëpisë që gjendej jashtë, ndërsa vetë ai fshihej në bodrum nga frika.

“Për fatin tim të mirë më shikon një komshi, nga vrimat e dyerve se më ka dëgjuar zërin . Më ka parë ashtu, katastrofë më ka parë të zhveshur, kur ka dalë ai komshia më ka ngritur , ka qenë katastrofë për mua ka qenë vdekje, më ka thënë hyr kështu në VC, një banjo jashtë, më ka hedhur vetëm një xhaketë të vetën. Unë kam qënë aty as e gjallë as e vdekur, doja vetëm të hyja në dorë të serbëve të më vrisnin, të mos kthehesha më në shtëpi e gjallë, se ka parë familja tmerr. Deri në 05:00 të mëngjesit aty kam qëndruar, ka ardhur ai komshija, se fshiheshin nëpër bodrume, nuk kanë qëndruar në shtëpi të vetën, por mua më kanë lënë aty se s’kishte si të çonte se isha krejt e zhveshur. Kur ka shkuar ora pesë e mëngjesit ka ardhur mi ka dhënë një palë pizhame të vetat, nga aty më ka çuar në shtëpi”, rrëfen gruaja.

Babai i saj sapo e ka parë të bijën ka vrapuar që ta përqafoj, por ajo e ka refuzuar prej turpit që kishte, për atë që i kishte ndodhur. Një dramë emocionale e fortë, e papërshkrueshme dhe ku njeriut i shuhet motivi i jetës.

“Kur kam shkuar në shtëpi më ka dalë babai të më përqafojë por e kam shtyrë prej turpit të asaj që më ka ndodhur. Kam hyrë brenda, kam shkuar në një dhomë si shuk se shtëpia e vjetër. S’kam dashur të flas me asnjë. Por kur kam hyrë brenda nëna ime s’më ka njohur, ajo vetëm ka thënë ma vranë vajzën se ka dëgjuar armët, ajo se ka ditur më që e ka evlatin gjallë. Unë skam dashur më as të ha e as të pij, ka ardhur tezja dhe më ka larë, më ka lidhur trupin me çarçaf të bardhë se e kam pasur trupin katastrofë, as nuk mundesha të ulesha asgjë”, rrëfen gruaja.

Rrëfimi i saj bëhet edhe më tronditës. Nëna e saj nuk mund të përballonte dhunën që ju ushtrua vajzës së saj në prezencën e të dy prindërve. Ajo vret vetën duke u mbytur në pusin e shtëpisë.

“Babin ma la zemra, atëherë tezja e la shtëpinë e vetë dhe ka ardhur aty të na shohë mua dhe nënën. Por unë edhe që rrija aty me ata krejt e humbur kam qenë, kisha qejf me mbyt veten me vdekë kur më shkojë baba. Unë babën e kam patur si vëlla se s’kam pasur as vëlla as motër, isha vetëm. E nëna duke më kërkuar mua, ka menduar se më kanë hedhur shkjajt në pus, ka rënë vetë. Pusi ishte 20 metra, tezja po e kërkonte dhe tha se nuk është askund. Kur dola kishte rënë në pus, aty më ka humbur shikimi krejt . Dhe më është bërë zi, sot e atë ditë shpesh herë. Kur ka ardhur ambulanca e ka marrë mamin e ka çuar tezja në spital, unë skam qenë as andej as këtej. Pas dy ditëve vdiq edhe nëna… mbeta vetëm”, rrëfen gruaja.
Për të u kujdes tezja deri në momentin që u martua. Por trauma e saj vijon të jetë e madhe pasi ajo jeton në shtëpinë ku është dhunuar.

“Tezja më ka bërë shërbimet, më ka larë çarçafët që më mbështillte trupin, se kam pasur katastrofë, i lante me ujë të vakët . Më bënte për të ngrënë, se nuk më shkonte asgjë poshtë. Unë e kam edhe shtëpinë aty ku më ka rënë nëna në pus. Të gjithë atë traumë e kam aty. Shpesh herë gjatë natës nuk flejë, çohem ashtu gjithë stres …”, tregon gruaja.

Si çdo viktimë tjetër, ajo kërkon drejtësi për atë që i ka ndodhur. Ajo nuk ka guxim të dalë e të flasë hapur, për historinë e saj trodintëse, pasi ndihet ende e turpëruar për atë që i ka ndodhur.

“Po po gjithë lagjja e di , familja e di . E turpëruar , katastrofë , ke turp të dalësh dhe akoma më vjen turp. Më duket sikur dikush më përflet pas krahëve, aty më vjen të ha vetën”, tregon gruaja./tch/