Kosova

Deputetja e PDK-së: E shqetësuar që LVV dhe OJQ-të nuk reaguan për gjestin jonjerëzor të Tomë Gashit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi, ka reaguar ashpër ndaj gjestit johuman të avokatit të Vetëvendosjes, Tomë Gashi, i cili shihet në një video duke shqelmuar lëmoshën që një lypës kishte mbledhur nga qytetarët në sheshin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Idrizi ka thënë se është tronditur nga gjesti i Gashit ndaj lypsarit.

Ajo thotë se është ndjerë e shqetësuar që ndaj veprimit të avokatit nuk ka pasur reagime as nga LVV-ja e as nga OJQ-të.

“Tronditëse, deri në palcë, janë pamjet ku avokati i Qeverisë Kurti dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Tomë Gashi, mu në Sheshin Nëna Tereze në Prishtinë, shkelmon pamëshirshëm, me shfrenim, një njeri në nevojë, i cili ishte ulur në rrugë dhe kërkonte lëmoshë. Sa më ka shqetësuar vrazhdësia dhe poshtërsia e avokatit të LVV-së, po aq më ka tronditur mungesa e reagimit nga vet LVV e cila, së paku publikisht, ka thënë se promovon barazinë dhe politikat sociale”, shprehet ajo.

Më tej ka pyetur pse nuk ka reagim as nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Avokati i Popullit e KMLDNj-ja.

“Pastaj, ku është reagimi dhe distancimi nga Ministria e Drejtësisë, ku është reagimi i Avokatit të Popullit, ku është reagimi i KMLDNj-së e OJQ-ve të tjera? Askund! Askush! Nuk po e kuptoj heshtjen e tyre. A vjen na frika apo nga lakmia për të përfituar nga pushteti dhe pushtetarët?! Turp të qoftë Tomë Gashi. Ndonëse, e ke dëshmuar se ti nuk turpërohesh për asgjë”, ka shkruar Idrizi në fund.

Ndryshe, të premten mbrëma avokati Tomë Gashi, është xhiruar nga një qytetar teksa godet me shqelm një lypës në sheshin ‘Nënë Tereza’. Në video shihet teksa Gashi diskuton diçka më të, më pastaj ia shqelmon edhe paratë që kishte para vetes.

Më vonë Gashi ka shpërndarë lajmin pikërisht për gjestin e tij ndaj lypësit, duke mos u penduar fare.

“Tu e kry punën e inspeksionit mas dy vjet britmash të çmendura ditë e natë në sheshin ‘Nënë ‘Tereza’”. Këta kanë shefa me Mercedesa dhe janë tregu për mbi dy vite grup me i organizuar se inspekcioni i Prishtinës! Kështu nuk ka në sheshin Skënderbeu në Tiranë”, ka shkruar ai në Facebook.