Kosova

Deputeti i VV-së: Për postin e presidentit, duhet të merremi vesh pas formimit të Qeverisë!

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Më 6 tetor, sovrani shfrytëzoi të drejtën e votës, derisa shumica vendosi për ndryshim.

Dy partitë që dolën të parat nga këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ani pse kanë shprehur disponim për ndërtimin e një koalicioni, edhe pas shumë takimeve nuk kanë arritur një marrëveshje.

Derisa dy subjektet politike janë dakorduar për program qeverisës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për ndarjen e posteve, gjegjësisht atë të presidentit.

Ndonëse të zgjedhurit e popullit nga të dyja partitë, përmes deklarimeve të tyre në rrjete sociale, së fundmi po bëjnë thirrje që marrëveshja të arrihet sa më shpejtë.

Deputeti i ri i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, përmes një shkrimi të bërë në Facebook ka thënë se çdo bisedë për ndarjen e përgjegjësive shtetërore, duhet të fillojë nga parimi, që shteti duhet çkapur.

“Duhet të kemi parasysh që marrëveshja politike ndërmjet LVV dhe LDK, është ndërtuar në dy vite opozitarizëm aktiv, ndaj një qeverisje të tmerrshme me të cilën është përballur vendi. Marrëveshja jonë, gurin themeltar e ka rivendosjen e rendit dhe ligjit, ma shqip i bjen çkapjen e shtetit. Çdo bisedë për ndarjen e përgjegjësive shtetrore, duhet të fillojë nga ky parim. Presidenca aktuale është një nga institucionet më të dedikuara në deformimin e sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë”, ka thënë deputeti.

Ai tutje ka shtuar se duhet të jenë të kujdesshëm që të mos i qasen konceptimit të rolit të presidentit në mënyrën e njëjtë sikurse koalicionet e kaluara.

“Marrëveshja për Presidentin duhet të sigurojë parime e kritere për profilin dhe vlerat që duhet t’i ketë presidenti i ri. Kjo marrëveshje duhet të arrihet tek pas formimit të qeverisë.
Keto vlera, nuk mund të vihen në kundërshtim me atë për të cilën jemi marrë vesh: ribërjen e shtetit ligjor dhe çkapjen e shtetit”.

Ndryshe, të shtunën që kaloi, liderët e dy partive, mbajtën takimin e radhës, por pa ndonjë rezultat. Krejt çfarë u tha, ishte se Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë dakorduar për një takim tjetër.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.