Kosova

Deputeti i Vetëvendosjes/ Janë koordinuar të gjitha celulat e politikës së vjetër për ta sulmuar Lëvizjen

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, duke komentuar situatën aktuale politike në vend, ka thënë se të gjitha celulat e politikës së vjetër janë bërë bashkë për ta sulmuar me çdo mjet Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë ndër të tjera, në një shkrim në Facebook, se të njëjtit janë errësuar në shtegun e presidentit Thaçi, duke vrapuar për t’u pozicionuar sa më lartë.

Ky është postimi i plotë i tij:

Janë koordinuar të gjitha celulat e politikës së vjetër në Kosovë për ta sulmuar me çdo mjet e metodë të mundshme Lëvizjen Vetëvendosje. E kuptojmë, kishin pritur se do të ja hedhin popullit e do ta mbulojnë disi bashkimin në PLAN nën tutelën e Hashimit. Nuk ja kanë dalë e as po ja dalin. Resurse enorme janë mobilizuar për ta linçuar e goditur Lëvizjen. Sa më shumë po veprojnë aq më qartë po del PLANI e poashtu po vërehen po i neveritin qytetarët që kanë votuar ndryshimin.

Shiheni këtë kryesinë e LDK –së: pa asnjë informatë, pa asnjë të dhënë për rastin e dëmtimit të kabllove në selinë e LDK –së, vrapuan të deklarojnë e të aludojnë në sulme politike. Këta duan me çdo kusht ta shohin LVV –në duke bërë veprime të tilla për t’u paraqitur viktimë. Shpresojnë se kështu do të zbusin zemërimin popullor që ekziston tek ata. Nuk dëshiron askush të dëgjojë për ta, e ndjejnë këtë edhe kur dalin në qytet.

E po do të zhgënjeheni nëse prisni se ne do të lëshohemi në të tilla veprime. Asnjëherë. Këta nuk kuptojnë se mjetet e format e protestës nuk parakuptojnë ushtrim dhune. Protestat e mënyrat tjera për të shprehur një kundërshtim janë thelbi i një shoqërie të lirë, atribut themelor i angazhimit demokratik të shoqërisë e cila as nuk bëhet fshehur e as nuk bëhet dhunshëm. Jeni errësuar në shtegun e Hashimit duke vrapuar për t’u pozicionuar sa më lartë që mundeni, ndaj edhe më nuk kuptoni asgjë nga konceptet themelore të demokracisë e të shoqërisë së lirë.

Ne demonstrojmë brenda këtyre koncepteve, jo natën e jo dhunshëm.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.