Kombëtare

Deponitë ilegale mbeten problem për Komunën e Prishtinës

Trotuari në një pjesë në afërsi të Gazimestanit të Prishtinës është kthyer në deponi mbeturinash.

Kjo rrugë, që lidh Komunën e Obiliqit me fshatrat e kryeqytetit, tash e disa kohë është në këtë gjendje.

Qytetarët, të cilët e shfrytëzojnë shpesh këtë rrugë, prapa kamerës kanë thënë se askush nuk kujdeset për ta pastruar këtë, derisa kjo gjendje u shkakton edhe pengesa në udhëtim.

Ata kanë treguar se vazhdimisht persona të ndryshëm hedhin mbeturina në këtë vend.

Gjendje më e mirë nuk është as në fshatin Lebanë, në afërsi të autostradës që lidh Komunën e Prishtinës me atë të Podujevës.

Nga Komuna e Prishtinës kanë akuzuar banorë të asaj pjese për hedhje të mbeturinave, duke thënë se ata vazhdimisht kujdesen për t’i larguar ato.

“Në Gazimestan kemi larguar një sërë këtë vit. Deponia e Lebanës që ju përmendët është më e re. Pasi është ndërtuar autostrada disa qytetarë të papërgjegjshëm kanë filluar të hedhin mbeturina aty. Në fakt, nuk mund të bëhet hedhje e mbeturinave në deponi ilegale pa qenë i papërgjegjshëm. Prandaj të gjitha deponitë ilegale krijohen dhe mbushen për atë arsye”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Sipas, zyrtarëve komunalë, ata vazhdimisht janë duke u përballur me deponi të tilla, dhe se numri i madh i banorëve e i ndërtimeve po e krijon një gjë të tillë.