Kombëtare

Dënohet shoferi i kamionit i cili shkaktoi aksident në Gjilan, si pasojë e të cilit vdiqën 2 persona

Në Gjilan, Gjykata Themelore ka dënuar me katër vite (4), e tetë muaj burgim shoferin e kamionit M.V i cili shkaktoi aksidentin në qendër të qytetit në Gjilan ku vdiqën 2 qytetarë dhe u lënduan 23 qytetarë të tjerë.

Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues ndaj të akuzuarit M.V duke i ndaluar drejtimin e automjetit për kategorinë e caktuar C1, C dhe BE, në kohëzgjatje prej 3 vite. Ai është dënuar për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik. Kurse me 2 vite e 8 muaj burgim është dënuar pronari i kompanisë i cili nuk ishte kujdesur për gjendjen teknike të kamionit dhe kishte lejuar që i njëjti të qarkullonte në rrugë dhe të transportonte mallra i cili me 7 mars 2019 në Gjilan shkaktoi aksident ngase nuk i punonte sistemi i frenimit, raporton Koha Ditore.

Ndërkaq gjyqtari ka urdhëruar edhe konfiskimin e automjetit transportues “Scania” i cili konsiderohet mjet me të cilin është kryer vepra penale. “Sepse me datë 07.03.2019 rreth orës 14:05 minuta në rrugë “Idriz Seferi” në Gjilan, i pandehuri M. V. ka rrezikuar trafikun publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë, ashtu që duke drejtuar automjetin për transport të markës “Scania”, pronë e Kompanisë “VEV Group” Sh. P. K. – Prishtinë nga pakujdesia dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore mbi Ligjin e trafikut rrugor, kyçet në rrugën kryesore nga parkingu i pemëtarisë “Mentori” në drejtim të qendrës së qyteti e humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit, pasi që nuk arrin të frenojë, si pasojë e gjendjes paraprake jo të rregullt të frenimit si tërësi, shkakton aksident zinxhiror, nga i cili aksident humb jetën i ndjeri Q. Ç. dhe F. I. dhe lëndohen 23 persona, si dhe shkaktohen dëme materiale” thuhet në dënimin e shqiptuar nga gjykata.

Ndërkaq pronari i kompanisë i cili kishte në dispozicion kamionin i cili shkaktoi aksidentin është dënuar për veprën penale mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik. “Ndërsa i pandehuri V. T. si person përgjegjës i Kompanisë “VEV Group”, Sh. P. K. – Prishtinë, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund shkaktohet si rezultat i veprimit apo mos veprimit të tij, por me mendjelehtësi ka menduar se ajo nuk do të shkaktohet, duke e lejuar automjetin e tij të dal në qarkullim në rrugë publike dhe si pasoj shkaktohet aksidenti i lartcekur” thuhet në këtë dënim.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483