OPINION

DEMOKRACIA E MYKUR, QË REZULTON NGA BOTËKUPTIMET PRIMITIVE POLITIKE

Nuk mund të jenë pro amerikan njerëzit që e shtrembërojnë dhe ndalojnë të vërtetën në emër të pro amerikanizmit të rrejshëm.

Ata mund të jenë vetëm pro rus, sepse vetëm në Rusinë e Leninit, Stalinit dhe Putinit e vërteta demonizohet për qëllime kleptokrate dhe totalitare, e madje edhe tabuizohet plotësisht.

Nuk mund të jenë pro amerikan, e as ta duan Amerikën, njerëzit që e plaçkisin popullin dhe shtetin e tyre, ndërsa territorin e tij dhe asetet publike i trajtojnë si prona të trashëguara prej prindërve të tyre, të cilat mund t’i shesin si dhe kur të duan.

Nuk mund të jenë pro amerikan e as demokratik, njerëzit që debatin e argumentuar dhe diferencuar e quajnë anti amerikanizëm, kur pikërisht mendimi i lirë dhe i argumentuar mirë, është një vlerë demokratike amerikane.

Apo ende po besojnë këta njerëz, se shqiptarët janë majmuna të cilët mund t’i mashtrojnë me banane?

Kudo në Evropë diskutohet lirshëm për mangësitë e Administratës Trump, por askush askënd nuk e quan anti amerikan, vetëm pse është anti Trump ose anti Grenell.

Kjo ndodh vetëm në Kosovën më pro amerikane në botë, ku pikëpamjet dhe botëkuptimet njerëzore, kombëtare dhe shtetërore i nënshtrohen anti vlerave dhe komplekseve primitive, hipokrite, makijaveliste, nepotiste dhe cinike të pushtetarëve të kalibrit bardh e zi, që mëtojnë në stilin “ja me neve, ja me kojshi”.

USA e ka shpëtuar pas luftës së dytë botërore Gjermaninë naziste nga fundosja, edhe pse një numër i paimagjinueshëm i gjermanëve e ka përkrahur Hitlerin e çmendur, i cili e ka mbështjellë mbarë botën në të zi.

Ose gjermanët kanë arsye për ta ndaluar çdo debat të argumentuar që e promovon të vërtetën e plotë për Amerikën, për hir të mirënjohjes ndaj shërbimit që ua ke bërë, ose asnjë popull në botë.

Mirëpo një gjë e tillë askujt nuk do t’i shkonte ndërmend në një shoqëri dhe shtet të përparuar, sepse do të ishte cementim, segmentim dhe burgosje idiotike e të së vërtetës, e cila mund të frymon lirshëm në të gjitha dimensionet dhe nuancat, vetëm aty ku ekziston demokracia e mirëfilltë dhe kultura e debatit të argumentuar.

Shqiptarët për lirinë dhe shtetin që e kanë sot kanë derdhur lumej gjaqesh.

Ata asnjë herë nuk kanë shprehur aspirata okupuese, hegjemoniste dhe shoviniste ndaj asnjë populli dhe shteti fqinjë.

Ata aq shumë kanë përjetuar padrejtësi nga fuqitë e mëdha të kohës, sa që ndihmën e USA, Evropes dhe NATO-s për çlirim dhe pavarësim, kanë të drejtë ta kuptojnë edhe si korrigjim të padrejtësive historike.

Mirëpo ata shkojnë përtej kësaj të së vërtetë të pakontestueshme, sepse janë populli me mirënjohës në botë.

Ata e duan me të vërtetë Amerikën dhe duan të mbajnë mardhëniet të mira me të gjitha shtetet që u kanë ndihmuar për t’u çliruar dhe pavarësuar, përfshirë edhe Turqinë.

Sepse pavarësisht që Turqia është pasardhëse e Perandorisë Osmane, ajo në një moment të caktuar historik është rreshtuar në anën e duhur të se drejtës dhe drejtësisë.

Ndërkaq është rreshtuar në anën të së drejtës, drejtësisë dhe barazisë ndërmjet individëve, popujve dhe shteteve, sepse e kuptuar se pjesë e këtyre padrejtësive ishte edhe paraardhësja e saj Perandoria Osmane.

Sepse edhe Turqia është më shumë se sa Erdogani dhe klika e tij kleptokrate.

Këtë e ka bërë në kohën kur më të vërtetë ka synuar integrim në BE, dhe kur nga Gerhard Schröder e ka marrë dritën e gjelbër.

Me ardhjen e Angela Merkel në pushtet drita e gjelbër fatkeqësisht është shndërruar në dritë të kuqe.

Dhe kjo nuk ka ndodhur me dëshirën e Angeles, por falë trysnisë që i është bërë asaj nga qarqet konservative në partinë e saj.

Prandaj oferta për anëtarësim të plotë të Turqisë në BE, është shndërruar në ofertë për partneritet të privilegjuar.

Unë nuk kam faj që e njoh historinë politike më mirë se ju.

Sepse mua kurrë nuk më ka mjaftuar vetëm leximi i kujdesshëm.

Sepse çdo informate që e kam absorbuar për ta plotësuar sfondin e njohurive, e kam harmonizuar me gjendjen faktike përmes filtrimit meritokratik dhe faktik të informacioneve, respektivisht përmes ndarjes së informacioneve të vërteta prej atyre të rreme.

Fatkeqësisht shumë pak njerëz në këtë vend njohuritë e tyre ia nënshtrojnë të vërtetës së plotë.

Në këtë mënyrë shumica e analistëve i krijojnë të vërtetat e tyre private, të cilat u shërbejnë interesave partiake dhe klienteliste si sfond për t’i manipuluar masat e gjëra.

Mirëpo historia politike botërore pas ngjarjeve të 11 shtatorit fatkeqësisht ka dalë nga binarët e racionalitetit.

Ndërsa unë jam plotësisht i bindur se 11 shtatorin terroristët arab e kanë organizuar në bashkëpunim me shërbimin sekret rus.

Sepse Putini pas ardhjes së tij në pushtet është shërbyer me të gjitha djallëzitë që i ka mësuar si Shef i Shërbimit Sekret Sovjetik (KGB) për Gjermaninë Lindore.

Prandaj 11 shtatori ka qenë mënyra më efikase për t’ia rikthyer Rusisë statusin e Superfuqisë botërore.

Prandaj mos i analizoni gjërat bardh e zi duke i selektuar argumentet ashtu siç i konvenon të vërtetës suaj private, që në fakt është gënjeshtër dhe manipulim i turpshëm. Mund ta gënjeni dhe manipuloni çdo shqiptar që e ka volumun e trurit sa fara e mollës nga konsumimi i tepruar i Coca Coles, por asnjë shqiptar që mendon me kokën e tij, dhe që e ndjen që dy dekada të vërtetën në lëkurën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.